Lidhje

Takimi i Amerikave: propozimi për një zonë të tregëtisë së lirë - temë debatesh të nxehta


Presidenti Bush u largua nga takimi i nivelit të lartë të vendeve të kontinentit Amerikan që u zhvillua në Mar del Plata të Argjentinës, ndërsa diskutimet për deklaratën përfundimtare të takimit po vazhdojnë, duke u zgjatur më tej se sa ishte parashikuar. Presidenti Bush u largua për në Brazil, pasi qëndroi edhe 3 orë më shumë se sa planifikimi në Argjentinë, ndërsa bisedimet po zgjateshin. Anëtarët e tjerë të delegacionit amerikan qëndruan pas për të përfunduar diskutimet. Deklarata përfundimtare e takimit pritet të përqëndrohet tek varfëria dhe punësimi. Por delegatët kanë patur mosmarrëveshje në se në të duhej përfshirë edhe thirrja për rihapjen e bisedimeve për një marrëveshje për tregëti të lirë ndër-amerikane, që mbështetet nga Presidenti Bush. Në rrugët e Mar Del Platas, ndërkohë ka filluar sot pastrimi pas protestave të djeshme kundër presidentit Bush që u bënë të dhunshme. Policia arrestoi mbi 60 persona. Në rrugët e Mar Del Platas, ka filluar pastrimi pas protestave të djeshme kundër presidentit Bush që u bënë të dhunshme. Policia përdori gazin lotsjellës dhe arrestoi mbi 60 persona, ndërkohë që demonstruesit qëllonin me shishe benzine dhe gurë dhe u vunë zjarrin disa ndërtesave. Protestave të dhunshme u parapriu një demonstratë paqësore me pjesëmarrjen e dhjetëra mijëra vetëve.

Mijëra vetë ishin mbledhur në fillim të takimit për të protestuar kundër politikave të presidentit Bush dhe propozimit për një rajon të tregëtisë së lirë për kontinentin amerikan. Presidenti Bush tha se shpreson se do të arrihet një marrëveshje tregëtare, të cilën ai e konsideron si një mjet për të sjellë begati në rajon. 29 vende mbështesin krijimin e zonës së tregëtisë së lirë. Ndërkaq, Venezuela dhe 4 vendet e bllokut Merkosur, Brazili, Argjentina, Paraguai dhe Uruguai e kundërshtojnë propozimin.

Presidenti i Venezuelës Hugo Chavez, i cili u kundërvihet Shteteve të Bashkuara në çështjet tregëtare dhe shumë të tjera, mbështet idenë e industrive kombëtare dhe zgjerimit të programeve sociale. Para fillimit zyrtarisht të programit, zoti Chavez foli para një turme prej mijëra vetësh, të cilët kundërshtojnë qëllimet e presidentit Bush për liberalizimin e tregëtisë dhe shtimin e biznesit. "Ashtu siç dështoi imperializmi amerikan në përpjekjet për të luftuar revolucionin kuban, po ashtu do të dështojë në përpjekjet për të luftuar revolucionin në Venezuelë," tha zoti Chavez.

Presidenti venezuelian e ka bërë të qartë se do ta shfrytëzonte takimin e nivelit të lartë si një shans për të diskredituar Shtetet e Bashkuara, të cilat i cilëson si një “model kapitalist, imperialist i demokracisë, i cili shfrytëzon ekonomitë e vendeve në zhvillim.” Marrëdhëniet amerikano-venezueliane janë acaruar që pas zgjedhjes së presidentit Chavez në vitin 1998.

Megjithëse nuk pritet që të ketë ndonjë takim kokë-më-kokë me zotin Chavez, presidentit Bush iu drejtua pyetja se çfarë mund t’i thoshte udhëheqësit venezuelian gjatë zhvillimit të takimit. Presidenti tha se do të tregohej i sjellshëm: "Këtë pret populli amerikan nga presidenti i tij – pra të jetë i sjellshëm. Nëse ndeshem me të, do të bëj pikërisht këtë. Udhëheqësit i gjykoj bazuar në vullnetin e tyre për të mbrojtur institucionet që i shërbejnë një demokracie të shëndoshë. Shtetet e Bashkuara do të ngrenë zërin ndaj çdo udhëheqësi që minon fjalën e lirë. Ne do ta bëjmë të qartë qëndrimin tonë sa herë që një udhëheqës kufizon lirinë e besimit fetar," tha zoti Bush.

Disa analistë druheshin se mosmarrëveshjet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Venezuelës mund të zhvendosnin vëmendjen nga përparimi i arritur në takimin e nivelit të lartë lidhur me çështje si papunësia dhe varfëria. Udhëheqësit po diskutojnë gjithashtu mbi ngrohjen globale dhe gripin e shpendëve.

XS
SM
MD
LG