Si asnjëherë tjetër më parë, një polemika e ashpër ka përfshirë kandidaturën e ambasadores së ardhshme të Shqipërisë në Uashington. Që ditën kur emri i Edit Harxhit, u prezantua në Komisionin e Politikës së Jashtme të parlamentit shqiptar, rreth saj ka shpërthyer një debat në të cilin janë përfshirë mediat, komisioni parlamentar, si dhe salla e parlamentit ku jo më larg se dje pati sërish shkëmbime replikash mes opozitës së majtë dhe ministrit të Jashtëm Besnik Mustafaj.
Sipas socialistëve, Harxhi është përjashtuar nga Unmik-u në Kosovë për shkak të abuzimeve me fondeve dhe mungesës së korrektesës në kryerjen e detyrave. Ishin këto akuza të cilat detyruan sot sërish ministrinë e jashtme që të përgjigjej.
Nëpërmjet zëdhënëses Desada Metaj, disa deputetë të opozitës kanë nisur një fushatë të pashembullt ndaj kandidaturës për ambasadore në Shtetet e Bashkuara. Ministria e jashtme ka shpërndarë edhe dokumenta të lëshuar nga kryeministri i
Kosovës Bajram Kosumi, përfaqësues të programit të asgjencisë së Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin si dhe të Fakultetit të Drejtësisë në Kosovë pranë të cilit ajo ka punuar si lektore ku jepen vlerësime pozitive ndaj zonjës Harxhi.
Fillimisht kritikat ndaj saj u përqëndruan rreth një studimi me titullin Komploti Greko Komunist Ndaj Demokracisë Shqiptare, i cili përqëndrohej në ngjarjet e vitit 1997 ku Athina akuzohej për nxitjen e revoltave me synim copëtimin e Shqipërisë, duke
përfshirë këtu edhe aktivitetin e CIA-s amerikane apo qëndrime të cilësuar si ultranacionaliste.
Por përveç këtyre aspekteve që janë bërë pjesë e luftës politike, kritikat ndaj kandidaturës së saj kanë të bëjnë dhe me faktin se zonja Harxhi nuk ka ndonjë eksperiencë të veçantë në diplomaci përvec pak më shumë se një viti punë në ambsadën e Shqipërisë në Turqi. Socialistët këmbëngulin se në Shtetet e Bashkuara, vendin dhe partnerin më të rëndësishëm të Shqipërisë, nuk mund të dërgohet një diplomat i një rangu që sipas tyre nuk e kalon mesataren.
Rreth kandidaturës së zonjës Harxhi, ambasada amerikane në Tiranë u shpreh se do ta shqyrtojë, siç ka vepruar dhe në rastet e tjera, sapo kjo kandidaturë të jetë zyrtarizuar nga qeveria shqiptare. Megjithëse ky formulim është në dukje më se normal, ai që ra në sy ishte fakti se ambsada amerikane nuk kishte bërë asnjë herë më parë një deklarim të tillë për ambasadorët pararendës.
Çështja e ambasadës së Shqipërisë në Uashington mbetet kështu në qendër rë debateve, pas skandalit financiar të disa muajve më parë që përfshiu kryediplomatin, Fatos Tarifa.