Lidhje

Nënsekretari amerikan i Shtetit: Bisedimet për statusin e Kosovës, brenda 30 ditësh


Nënsekretari amerikan i shtetit Nicholas Burns tha sot në Prishtinë se bisedimet për ardhmen e Kosovës mund të fillojnë brenda tridhjetë ditësh dhe se Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqishëm fillimin e tyre.

Në një konferencë për gazetarë pas takimeve me udhëheqësit më të lartë ndërkombëtarë dhe vendas ai tha se dy muajt e fundit të këtij viti dhe fillimi i vitit 2006 do të jenë muaj të ndryshimeve të mëdha për Kosovën. “Është një rast historik për qytetarët e Kosovës që të përcaktojnë të ardhmen e tyre” tha ambasadori Burns, duke shprehur mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për rekomandimet e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Kofi Annan për fillimin e bisedimeve për zgjidhjen e statusit të Kosovës.

Ka gjashtë vjet që nga përfundimi i luftës dhe në Kosovë është shënuar përparim, por populli i Kosovës ka të drejtë të dijë se status quoja do të ndryshojë dhe diçka më e mirë do të zërë vendin e saj. “Sic ka thënë edhe sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara javën e kaluar, edhe pavarësia është mbi tavolinë si mundësi por ka edhe mundësi të tjera po ashtu”, -tha zoti Burns, duke nënvizuar se do të varet nga udhëheqja shqiptare, ajo serbe si dhe nga qeveria e Beogradit që të kërkuar një të ardhme pa dhunë e kërcënime ku do të respektohen të drejtat e të gjithëve.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara do të kenë të dërguarin e tyre të posaçëm në procesin e bisedimeve dhe do të luajnë një rol shumë aktiv, por tërhoqi vërejtjen se nuk është çështje e Shteteve të Bashkuara apo dikujt tjetër që të thotë se cila do të jetë e ardhmja e Kosovës dhe qeveria amerikane nuk mbështet ndonjë opsion të caktuar meqë kjo është përgjegjësi e njerëzve që jetojnë këtu. “Ne shpresojmë dhe presim që për një kohë të shkurtër, brenda 30 ditësh, të shohim fillimin e bisedimeve dhe vendet e popujt të bisedojnë për të ardhmen e tyre”.

Zoti Burns shfaqi shpresën se ekipi i negociuesve të Kosovës të jetë i bashkuar dhe se serbët e Kosovës duhet të kenë zërin e tyre në negociata. Ambasadori Burns i bëri thirrje edhe qeverisë së Beogradit që të luajë një rol konstruktiv në procesin e zgjidhjes së çështjes së Kosovës.

Ai tha se Beogradit, ku do të qëndrojë sonte dhe nesër për një vizitë, do t’i transmetojë qëndrimin se nuk ka mundësi për përfshirje në partneritet për paqe me NATO-n dhe as integrim në Bashkimin Evropian pa dorëzimin e kriminelëve të luftës. Ambasadori Burns tha se NATO-ja është e përkushtuar për misionin e saj në Kosovë dhe nuk do të lejojë përsëritjen e ngjarjeve të dhunshme si ato të muajit mars të vitit 2004. Megjithatë, ai shfaqi shpresën se procesi e bisedimeve do të kalojë në paqe për t’u dhënë mundësi qytetarëve të Kosovës të gjejnë rrugën e tyre drejt së ardhmes.

XS
SM
MD
LG