Lidhje

Shqipëri: Përsëri nën pranga trafikanti Durda


Në Shqipëri policia mundi sot të arrestojë Frederik Durdën, të burgosurin për trafik ndërkombëtar droge, i cili u arratis dje nga një spital në kryeqytet.

Kapja e tij brenda një kohe shumë të shkurtër u ndihmua nga shuma e madhe prej 100 mijë dollarësh që Ministria e Drejtësisë kishte vënë në dispozicion. Për këtë çështje janë arrestuar tre punonjësit e burgut të Peqinit që shoqëronin dje Durdën, janë shoqëruar 5 persona që e kanë ndihmuar dhe strehuar atë si dhe janë shkarkuar dy zyrtarë të Administratës së Burgjeve.

Nuk ka zgjatur as 24 orë liria për Frederik Durdën, një nga të burgosurit e procesit më të rëndësishëm të Drejtësisë shqiptare për trafikun ndërkombëtar të drogës. Një informatë e dhënë pas joshjes nga një shumë prej 100 mijë dollarësh e ka çuar policinë drejt e në banesën ku Durda ishte fshehur. Ai u gjet në një apartament në një lagje jo larg maternitetit të kryeqytetit prej nga ai mundi të arratisej dje ndërsa kishte shkuar të vizitonte bashkëshorten e tij.

Në operacionin për arrestimin e Durdës rreth orës 9.30 të mëngjesit të sotëm, siç njoftoi Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Bajram Ibraj, u angazhuan forcat e policisë së Tiranës dhe ato të njësive speciale të Reneas. Që nga momenti i arratisjes të të burgosurit policia kishte ngritur postoblloqe të shumta dhe kishte shpërndarë menjëherë foton e tij nëtë gjtha pikat e kalimit kufitar. "Bazuar në të dhënat e grumbulluara në rrugë operative nga strukturat e policisë mbi vendndodhjen e këtij shtetasi, mngjesin e ditës së sotme u organizua operacioni për kapjen e tij. Shtetasi Frederik Durda u gjet i strehuar në banesën e shtetasit Skënder Perloshaj në lagjen Ali Demi" shpjegoi Ibraj.

Krahas Durdës në polici është shoqëruar pronari i banesës ku Durda u gjet i fshehur poshtë një krevati. Po ashtu janë shoqëruar dhe katër persona të tjerë që u gjetën në banesë në momentin e operacionit të policisë. Në pranga kanë përfunduar ndërkohë që prej ditës së djeshme tre punonjësit e burgut të Peqinit të cilët e shoqëruan atë në Tiranë, ndërsa Ministria e Drejtësisë njoftoi sot se ka shkarkuar nga puna drejtorin e Burgut të Peqinit si dhe Drejtorin e poërgjithshëm të Policisë së Burgjeve.

Frederik Durda, i dënuar me 16 vjet burg, ishte një ndër figurat kryesore të një organizate që merrej me trafikun ndërkombëtar të Kokainës nga Kolumbia për në Europë. Ai u arrestua në shkurt të vitit 2001 së bashku dhe me një nga zyrtarët e lartë të Prokurorisë së Përgjithshme Sokol Kociu.

XS
SM
MD
LG