Lidhje

Presidenti Moisiu: Shqipëria nuk mund të ecë përpara pa bashkëpunimin e të gjitha forcave politike


Presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu ndodhet në Nju Jork në krye të delegacionit shqiptar për të marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, që këtë vit përkojnë edhe me 60 vjetorin e themelimit të organizatës. Presidenti Moisiu do ta mbajë fjalimin e tij ditën e enjte.

Zëri i Amerikës: Zoti President, ju vini në Nju Jork në një kohë kur në Shqipëri sapo është kryer rotacioni politik. Ajo që për shumë vende të tjera demokratike konsiderohet si një zhvillim normal, për Shqipërinë u cilësua si një arritje. Ndonëse është ende herët dhe qeveria e re ka vetëm dy ose tre ditë në detyrë, cilat mendoni se do të jenë sfidat kryesore që ka vendi përpara.

Alfred Moisiu: Në radhë të parë dua t’u them që është vërtetë një arritje shumë e madhe e popullit shqiptar, që më në fund Shqipëria pas kaq vitesh problematike, arriti të kryej një kalim të pushtetit, një rotacion të pushtetit, në mënyrë paqësore. Kjo është meritë e elektoratit shqiptar dhe e politikës shqiptare sigurisht. Unë mendoj që qeveria që doli nga këto zgjedhje, është e angazhuar për të mbajtur premtimet që ka dhënë. Me kalimin e kohës këto gjëra do të jenë më të dukshme, më të qarta, se sa do të jetë në gjendje dhe sa do t’i përmbahet këtyre angazhimeve të përmendura. Por unë shpresoj që ato do të realizohen, sepse është dëshira dhe vullneti i elektoratit shqiptar.

Zëri i Amerikës: Zoti President, ju jeni shprehur se vendi sot ka nevojë për një bashkëpunim pozitë–opozitë për proceset e integrimit euro-atlantik dhe për problemet e tjera madhore. Në kushtet e Shqipërisë, ose me pakënaqësitë që po shprehin sociazistët për humbjen në zgjedhje, a jeni optimist se një bahskëpunim i tillë është i mundshëm?

Alfred Moisiu: Është e vërtetë që edhe në mesazhin që dhashë para Parlamentit shqiptar, u kërkova të gjitha forcave politike shqiptare një bashkëpunim të mëtejshëm midis tyre për të zgjidhur problemet madhore që ndodhen përpara Shqipërisë, si në fushën ndërkombëtare, ashtu edhe në fushën e brendëshme. Por dua të them një gjë, që ky qe rotacion pushteti dhe jo rotacion shteti, domethënë shteti me institucionet e tij është, qëndron dhe vazhdon të qëndrojë. Sigurisht si në çdo vend demokratik, pluralist edhe tek ne u realizua rotacioni i pushtetit nga njëra parti në tjetrën, nga njëri koalicion në tjetrin. Është shumë normale, shumë e dobishme dhe shumë e pritshme. Sigurisht që është hera e parë që rotacioni sikurse thashë bëhet në mënyrë paqësore në vendin tonë. Unë mendoj që ky rotacion shumë pozitiv duhet të kuptohet drejt nga të gjitha forcat politike shqiptare. Nuk mundet Shqipëria të eci përpara pa një bashkëpunim të të gjitha forcave politike. Sigurisht pozita ka detyrat e saja dhe opozita të sajat. Por bashkëpunimi midis tyre është më se i nevojshëm. Dhe unë mendoj se kjo do të funksionojë sepse kështu e kërkon e mira e Shqipërisë, kështu e kërkon edhe vullneti i elektoratit shqiptar, këto janë dhe norma të një shteti të vërtetë demokratik.

Zëri i Amerikës: Zoti President, të ndalemi për pak momente në një çështje që është debatuar së tepërmi këto ditë në shtypin shqiptar, ka të bëjë me ndryshimet e reja në strukturën e qeverisë. Kryeministri i ri, mes ndryshimeve të shumta në qeveri, ka propozuar që institucioni i Shërbimit Informativ të kalojë nën vartësinë e Ministrisë së Brendshme. Duke qënë se sipas kushtetutës është presidenti ai që e emëron drejtuesin e këtij institucioni, cili është komenti juaj për këtë ndryshim?

Alfred Moisiu: Është e vërtetë... këtë e kam ndjekur edhe unë nëpërmjet shtypit, por me kryeministrin akoma nuk kemi biseduar gjë konkrete dhe unë mendoj që hapat në këtë drejtim duhen hedhur të menduara mirë, të peshuara mirë, të gjykuara bashkarisht dhe duke parë edhe gjithë legjislacionin, duke parë dhe përvojën e hidhur të së kaluarës, pastaj besoj se do të arrijmë në konkluzionin dhe përfundimin më shumë të përshtatshëm. Të mos harrojmë që Shërbimi Informativ Shqiptar ka qënë një shërbim me përvojë shumë të hidhur, sikurse thashë, që në kohën e Gazidedes dhe më vonë ka patur probleme sidomos në politizimin e këtij shërbimi. Mendoj se kohët e fundit kemi arritur vërtetë ta depolitizojmë këtë shërbim që t’i shërbejë interesave të vendit, t’i shërbejë atyre kërkesave që parashtron ligji dhe kërkesave të kushtetutës. Njëkohësisht ky shërbim ka edhe detyrime dhe marrëdhënie shumë të ngushta me aleatët tanë, veçanërisht në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar, krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe fenomenet e tjera negative për të cilat rajoni i Ballkanit është i njohur dhe në drejtim të vendit tonë ka patur kohë pas kohe akuza përsa i përket këtyre problemeve. Pra unë gjykoj që mbase ky problem do të shikohet me kujdes, sepse jo vetëm që ka ato detyra që ka, por janë hapa që duhen hedhur në mënyrë shumë të menduar. Përsa i përket detyrimit kushtetues që drejtori i shërbimit dekretohet nga Presidenti i Republikës, ajo është taksative, as diskutohet që mund të ndryshojë, sepse ajo kërkon ndryshim kushtetues dhe ndryshimi kushtetues do të bëhet kur të gjykohet i nevojshëm për probleme të tjera, mbase kur ti vijë koha vetë.

Zëri i Amerikës: Zoti Moisiu, ju jeni presidenti i parë i zgjedhur me konsensus në Shqipëri. Por më pas ju jeni kritikuar jo pak nga opozita e atëhershme që sot ka ardhur në pushtet. Për ju vetë a mund të quhen të kapërcyera marrëdhëniet tuaja me kryeministrin e sotëm Sali Berisha.

Alfred Moisiu: Sikurse thatë, unë jam zgjedhur me konsensus, me pëlqimin e të gjitha forcave kryesore politike të vendit dhe sigurisht kjo është një përvojë e parë që u aplikua në vendin tonë, sepse dihet që paraardhësit e mi kanë qënë përcaktuar përsa i përket forcës politike që ata i përkisnin dhe unë mendoj, që të paktën nga kontaktet që kam patur me personalitetet të ndryshme, si të jashtme dhe të vendit, mendoj që kjo përvojë nuk ka qënë e keqe dhe ka ndihmuar në zhvillimin me sukses të aktivitetit politik dhe në tërësi të zgjidhjeve politike në vendin tonë. Përsa i përket marrëdhënieve dhe kritikave që më janë bërë, të cilat i kam patur nga të dyja krahët, kjo tregon që pozicioni i presidentit, i cili sipas kushtetutës përfaqëson unitetin e kombit, është i tillë, që duhet patjetër në situata të caktuara të gjejë atë zgjidhje, të mbajë atë qëndrim që është më shumë në favor të pjesës më madhe të forcave politike dhe të kombit. Unë mendoj që këtu nuk ka asgjë për të tejkaluar, sepse këto janë gjëra që kanë vlerë për kohën e caktuar dhe jeta pastaj tregon se sa të vërteta, sa të drejta, sa të qëndrueshme kanë qënë ato kritika që janë bërë.

Zëri i Amerikës: Zoti President, Kosova sot ndodhet prëballë një momenti të rëndësishëm të historisë së saj. Deri më sot Shqipëria është shprehur se ndihma e saj është roli stabilizues në rajon. Por tani që zgjidhja e statusit po hyn në një fazë konkrete, a ka Shqipëria një strategji për procesin?

Alfred Moisiu: Shqipëria gjithmonë ka qënë, mbetet dhe është (sepse është edhe një vendim i parlamentit shqiptar) në favor të pavarësisë së Kosovës. Sigurisht që rruga për të arritur deri në këtë konkluzion është në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare, sepse vetëm kjo mënyrë zgjidhjeje, apo mënyrë trajtimi e problemit mund të na çojë në një zgjidhje më të përshtatshme dhe më të pranueshme nga të gjitha palët. Unë mendoj, që ka ardhur koha, që problemi i Kosovës të shtrohet në tryezë dhe të diskutohet seriozisht për t’i dhënë një zgjidhje konkrete dhe praktike, sepse e kaluara, veçanërisht këto dy vitet e fundit tregon se sa më shumë të zgjatet, aq më keq është për të gjitha palët. Kam bindjen nga kontaktet e ndryshme që kam patur, se që të gjithë pak a shumë janë të këtij mendimi, që ky problem nuk mund të zgjatet më tej. Vetkuptohet që reagime ka nga të dyja krahët, secila palë kërkon që të përfitojë sa më shumë. Por një gjë është e qartë që ky problem duhet zgjidhur sepse është në interes të stabilitetit të të gjithë rajonit. Për këtë çështje nuk janë të interesuar vetëm shqiptarët dhe serbët, por janë edhe maqedonasit, janë edhe malazezët, bullgarët e gjithë rajoni i Ballkanit. Çështja e Kosovës gjithmonë ka përmbajtur dhe përban deri në zgjidhjen e saj një potencial rreziku, që nuk është i pranueshëm dhe i vlefshëm, jo vetëm për vendin, por në tërësi për Evropën dhe për shtetet kryesore që drejtojnë politikën botërore.

Zëri i Amerikës: Zoti President ju faleminderit!

Alfred Moisiu: Ju faleminderit edhe juve, gjithë të mirat dhe më vjen mirë që ditën e parë që jam këtu pata kontaktin me ju.

XS
SM
MD
LG