Kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi ka hedhur poshtë sot akuzat për mitmarrje dhe korrupsion të cilat nxitën edhe kërkesat e opozitës dhe të një pjese të mjeteve të informimit për dorëheqjen e tij.
Të shtunën e kaluar ai u kthye nga Turqia ku po bënte pushimet me një aeroplan privat, që thuhet të ketë kushtuar rreth 20 mijë euro që sipas tij janë paguar nga miqtë e tij. Kjo është pasuar me kritika të rrepta meqë sipas ligjeve në fuqi, zyrtarët qeveritarë nuk mund të pranojnë dhurata që kanë vlerë më shumë se 50 euro.
Kryeministri Kosumi në një deklaratë për opinion ka theksuar se ishte një takim i paplanifikuar dhe i domosdoshëm me ambasadorin Kai Eide që duhej realizuar në Prishtinë, e që ka shtruar nevojën për t’i ndërprerë pushimet dy ditë më herët. Bërja pozitive e raportit të ambasadorit Eide, thuhet në deklaratën e tij, është gjëja më e rëndësishme në këtë moment.
Duke pasur parasysh faktin se qeveria e Kosovës nuk ka avion të vetin dhe kishte rrezik që kryeministri të mos arrinte në Prishtinë në kohën e duhur ministri i qeverisë së Kosovës Ethem Çeku, që ishte së bashku me të ka siguruar avionin privat për kthim.
Kryeministri thekson se në asnjë moment nuk ka dyshuar se bashkëshfrytëzimi i këtij shërbimi të mikut të tij të vjetër familjar, ministrit Çeku, mund të konsiderohej marrje e mitos apo korrupsion.
Në deklaratë ai ka nënvizuar se siç është shprehur, fushata e disa mediave dhe e disa qarqeve politike kundër qeverise dhe atij personalisht nuk është e rastësishme, pasi ndodh pikërisht në kohën kur Qeveria e Kosovës po shënon rezultate të pamohueshme në zbatimin e politikave që janë në përputhje me interesat e popullit dhe të ardhmes së Kosovës.
Kritikat që bëhen ndaj kryeministrit dhe ndaj Qeverisë, do të konsiderohen të dobishme vetëm derisa të mos kenë kaluar në shpikje dhe ne trillime, ka thënë kryeministri Kosumi, për të shtuar se qarqe te caktuara mediale dhe politike, kanë shkuar aq larg në trillimet e tyre, saqë kanë shpikur edhe “afera seksuale”, duke prekur kështu edhe dinjitetin e tij familjar.
Në fund të deklaratës kryeministri Kosumi ka thënë se pavarësisht nga këto sulme, Qeveria e Kosovës dhe ai si kryeministër, do të vazhdojnë të punojnë sipas mandatit që kanë, në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës, sepse ky është orientim, detyrim dhe betim i tyre.
Kjo është hera e parë që kryeministri ka reaguar gjatë kësaj jave ndaj akuzave kundër tij dhe kërkesave të opozitës për dorëheqje nga ky post. Kjo e fundit ndërkohë ka kërkuar edhe një seancë të jashtëzakonshme parlamentare për të debatuar këtë çështje.