Lidhje

Kosovë: Zyrtarët më të lartë ndërkombëtarë dhe vendorë dënojnë incidentin e Shterpcës


Kryeadministratori ndërkombëtar i Kosovës, Soren Jessen Petersen vizitoi sot vendin ku të shtunën para mesnate, u vranë dy të rinj serbë dhe u plagosën dy të tjerë. Zoti Petersen, i cili shoqërohej nga shefi i policisë, Kai Vitrup, i kërkoi autoriteteve menjëherë pas këtij incidenti, që të mos lënë gur pa lëvizur për të gjetur autorët.

Serbët e Kosovës protestuan sot nëpër enklava, me moton "Serbët po vriten njëri pas tjetrit". Protesta pati në Gracanicë, në dalje të Prishtinës, dhe ndezën qirinj për serbët që kanë humbur jetën në Kosovë që nga 1999. Protesta kishte edhe në rrugën kryesore Prishtinë-Gjilan, e cila u mbajt e bllokuar përsa kohë zgjati protesta, dhe në Shtëprcë dhe Mitrovicën Veriore.

Në Kosovë, policia hodhi poshtë pohimet e medias serbe për arrestimin e 3 shqiptarëve, në lidhje me vrasjen e dy të rinjve serbë dhe plagosjen e dy të tjerëve në rrugën Prishtinë-Shtërpcë të shtunën afër mesnatës. Komisioneri i policisë Kai Vitrup, tha se incidenti i së shtunës, është një incident tragjik i izoluar.

Policia ndërkombëtare në Kosovë, tha sot se incidenti tragjik i së shtunës mbrëma, në të cilën humbën jetën 2 të rinj serbë dhe dy të tjerë u plagosën, pasi u qëlluan nga persona të paidentifikuar në rrugën Prishtinë-Shtërpcë, pranë fshatit Baincë, është në kontekstin e përmirësimit të lirisë së lëvizjes muajt e fundit. “Policia e konsideron këtë incident, një incident tragjik të izoluar”, tha komisineri I policisë ndërkombëtare, Kai Vitrup, duke hedhur poshtë deklarimet se ky incident është hapi I parë në veprimet e ardhshme terroriste kundër pakicave. “Nuk ka asgjë në hetimet e deritashme që në cfarëdo mënyrë, do të justifikonte një përfundim të tillë”, theksoi zoti Vitrup.

Policia ndërkombëtare hodhi gjithashtu poshtë informacionet e dhëna nga media serbe, për arrestimin e tre shqiptarëve në lidhje me rastin. Policia tha se askush nuk është arrestuar. Zyrtarët e policisë thanë sot se të plagosurit janë pyetur në lidhje me incidentin dhe kërkuan që kushdo që ka informacion për ngjarjen, të raportojë në polici. Incidenti I së shtunës mbrëma është rasti më I rëndë që ka ndodhur kohët e fundit ndërkohë që po bëheshin përpjekje për të plotësuar standartet e lirisë së lëvizjes dhe kthimin e qëndrueshëm vecanërisht për pakicën serbe.

Zyrtarët më të lartë ndërkombëtarë dhe vendorë e kanë dënuar incidentin dhe kanë kërkuar me ngulm gjetjen e autorëve. Përfaqësues të pakicës serbe kanë thënë se serbët e Kosovës do të jenë të frikësuar dhe të shqetësuar për sigurinë e tyre dhe do të mbyllen përsëri në enklava.

XS
SM
MD
LG