Lidhje

Kosovë: I dërguari i OKB-së, Kai Eide, arrin në Prishtinë


I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara, ambasadori norvegjez, Kai Eide, arriti të dielën pasdite në Prishtinë për vizitën e tij të tretë me radhë, para vlerësimit gjithpërfshirës të standardeve në Kosovë. Ambasadori Eide kësaj radhe do të qëndrojë për shtatë ditë në rajon për të mbledhur sa më shumë informacione që do t’i duhen për të hartuar raportin e tij, që, sipas paralajmërimeve, duhet t’i dorëzohet në shtator Sekretarit të Përgjithshëm, Kofi Annan, dhe Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Në aeroportin e Prishtinës ai tha se nuk është vetëm në dorën e tij se kur do të përfundojë raporti, por se kjo është edhe në duart e institucioneve të Kosovës që duhet të realizojnë detyrimet e tyre. Shumë nga çështjet, që do të shqyrtohen gjatë kësaj faze të misionit të tij, zoti Eide tha se kanë të bëjnë me marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve. “Por, kjo nuk ka të bëjë në tërësi me marrëdhëniet entike, por me kushtet themelore për çdo qytetar të Kosovës, përfshirë edhe luftën kundër korrupcionit e krimit të organizuar”.

Vizita aktuale e ambasadorit Eide pason qëndrimin e tij në rajon në muajin korrik pas të cilit ai paraqiti vërejtjet e tij ndaj institucioneve të Kososvës për ngadalësim të procesit të përmbushjes së standardeve. Vërejtjet e tij u pasuan me qortime të diplomatëve të Vendeve të Grupit të Kontaktit ndaj qeverisë së Kosovës për mungesë përparimi, posaçërisht në procesin e decentralizimit të pushtetit.

Vizita e sapofilluar e ambasadorit Eide e gjen Kosovën me një plan të ndryshuar decentralizimi dhe me urdhëresat e UNMIK-ut për fillim të shpejtë të zbatimit të tij - plan ky i kundërshtuar nga opozita dhe ende i papranuar nga përfaqësuesit e komunitetit serb.

Zoti Eide tha se plani është hap i rëndësishëm para dhe se këtë çështje ai do ta diskutojë me bashkëbiseduesit e tij në Kosovë. Gjithësesi, amabasadori Eide ka hyrë në periudhën e fundit të vlerësimeve dhe nga raporti i tij do të varet nëse vjeshta do të shënojë edhe fillimin e procesit të zgjidhjes së statusit politik të Kosovës. //az//

XS
SM
MD
LG