Lidhje

Gazetari Peter Jennings solli në ekranet amerikane konfliktet e Ballkanit


Gazetari amerikan Peter Jennings, i cili vdiq të dielën mbrëma në New York nga kanceri në mushkri, njihej jo vetëm në Shtetet e Bashkuara, por edhe në vende të ndryshme të botës, sidomos në zona krizash, ku ai shkonte për t’i mbuluar ato drejtpërdrejt dhe për të njohur amerikanët me këto kriza. Në një rast, gjatë mbulimit të këtyre ngjarjeve, Peter Jennings, ndikoi drejtpërdrejt në jetën e një familjeje në Bosnje.

Një djalë nga Sarajeva, gjendja e të cilit në vitin 1994, u vu në qendër të vemendjes së shtypit amerikan nga gazetari i lajmeve kryesore të mbrëmjes, Peter Jennings, foli me trishtim rreth vdekjes së zotit Jennings.

Në vitin 1994, Peter Jennings takoi Eki Focon, në atë kohë 13 vjeç, që jetonte në Sarajevën e shkatërruar nga lufta. Jennings po mbulonte luftën në Bosnje kur rastësisht takoi Ekin dhe filloi të bisedonte me të. Foco po luante futboll kur Peter Jennings dhe ekipi i tij televiziv i ABC-së mbërritën aty.

Jennings: “Të shtënat që dëgjojmë tani, a i dëgjon ti çdo ditë?

Eki: “Po, i dëgjoj çdo ditë dhe nuk është asgjë e re për mua.”

Një ngjarje tjetër krize që nuk u la pa mbuluar nga Peter Jennings ishte edhe lufta në Kosovë. Në atë kohë, shqiptari nga Kosova Ylber Bajraktari, punonte për rrjetin ABC. Në një nga emisionet e tij, Peter Jennings u lidh drejtëpërdrejtë me Ylberin.

Dhe nëpërmjet lidhjeve që mbante me profesionistë të ndryshëm, Peter Jennings e njihte më mirë audiencën amerikane me kriza të ndryshme dhe i ofronte asaj një perspektivë të veçantë rreth luftës.

2 prej 17 milion njerëzve që ndoqën raportimin e Peter Jennings rreth djalit nga Bosnja atë mbrëmje u prekën në mënyrë të veçantë: George dhe Helen Priebe nga Kalifornia.

“Unë me të vërtetë ia kam borxh zotit Peter Jennings sigurinë dhe gjendjen e mirë të familjes time.”

Çifti Priebe vendosi të ndihmonte familjen Foco. George Priebe i telefonoi zyrës së zotit Jennings në New York dhe arriti ta dërgonte këtë letër në Sarajevë, ku më në fund i ra në dorë Ekit. George dhe Helen Priebe ndihmuan për të paguar shpenzimet e transferimit përgjithmonë të familjes Foco nga Bosnja për në Shtetet e Bashkuara.

“Mund të përfytyroja familjen time në këtë pozitë dhe kjo më tronditi shumë. Pa Peter Jennings Eki do të ishte si çdo djalë tjetër në një vend të botës të shkatërruar nga lufta.”

Që prej kohës kur erdhi në Shtetet e Bashkuara, Eki ka maruar shkollën e mesme në shtetin Michigan, u mobilizua në forcat e marinës së Shteteve të Bashkuara dhe ka shërbyer në operacionin Iraqi Freedom në luftanijen amerikane USS Theodore Roosevelt.

Aktualisht ai punon në një bankë dhe vitin e ardhshëm ka në plan të vazhdojë studimet e larta.

Kur legjendari i ABC-së vdiq këtë javë nga kanceri, një e-mail i mbrriti zyrës së lajmeve të rrjetit ABC nga Eki Foco. Në të shkruhej:

“Quhem Eldin, i njohur më mirë nga ABC News si Eki, djali i vogël nga Sarajeva. Tani unë jetoj në Shtetet e Bashkuara dhe për këtë i detyrohem një njeriu. Sytë më mbushen me lot kur shikoj dhe kujtoj këtë njeri kaq të mirë, Peter Jennings”.

Sot në shtëpinë e familjes Foco, në mur është varur fotografia e Ekit me Peter Jennings si dhe një kronometër, dhuratë e gazetarit, që ndihmoi në ndryshimin e jetës për familjen Foco.

XS
SM
MD
LG