Sot, më 1 gusht, bëhen 30 vjet që nga nënshkrimi i Aktit Final të Helsinkit, në fund të Konferencës së parë për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë. Në marrëveshjen e rëndësishme diplomatike, u ra dakord për paprekshmërinë e kufijve të pas luftës në Evropë. Gjithashtu 35 vendet nënshkruese angazhoheshin të respektonin të drejtat dhe liritë bazë të njeriut. Ditët e fundit, në një ceremoni për nder të nënshkrimit të Aktit Final të Helsinkit, mbajtur në ndërtesën e Kongresit në Washington, sekretari i atëhershëm i shtetit Henry Kissinger tha se pavarësisht nga skepticizmi fillestar i Shteteve të Bashkuara, procesi i Helsinkit u kthye në një katalizator të lirisë në Evropë.
Pakti i Varshavës propozoi një konferencë për sigurinë në Evropë në vitin 1966 kur Lufta e Ftohtë ishte në kulmin e saj. NATO-ja nuk ishte shumë entuziaste në fillim për një konferencë të tillë. Një valë konsultimesh diplomatike pasuan, të cilat sollën si rezultat më 1 gusht 1975 në Helsinki të Finlandës nënshkrimin nga ana e 35 krerëve shtetesh Aktin Final të Helsinkit, ose Marrëveshjet e Helsinkit. Marrëveshjet u nënshkruan nga të gjitha vendet evropiane, përveç Shqipërisë, si edhe nga Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja.
Henry Kissinger, i cili ishte Sekretari amerikan i Shtetit gjatë negociatave të marrëveshjeve të Helsinkit e pranon se Shtetet e Bashkuara ishin në fillim mosbesues për një konferencë sigurimi me Bashkimin Sovjetik.
“Kur u propozua në fillim mbajtja e konferencës, ne menduam se ishte një manovër e sovjetikëve, pas pushtimit të Çekosllovakisë nga trupat sovjetike, që të hynte përsëri në skenë, të bëhej përsëri lojtare. Ne menduam gjithashtu se mund të ishte një manovër për të minuar NATO-n. Kështu që ne në fillim i rezistuam idesë së një Konference për Sigurinë”.
Dr. Kissinger thotë se Shtetet e Bashkuara mbajtën një pozicion të matur, duke e përshtatur atë në varësi të qëndrimit sovjetik. Në perëndim u zhvillua një debat i ashpër, pasi disa akuzonin botën e lirë se po i jepte legjitimitet hegjemonisë sovjetike të pas luftës në Evropën Lindore, duke i pranuar kufijtë e pas Luftës së Dytë Botërore. Dr. Kissinger thotë se në fakt bëhej fjalë pikërisht për të kundërtën: gjatë procesit të Helsinkit, perëndimi arriti të përfshinte në Aktin Final klauzola për të drejtat e njeriut, duke i konsideruar një shqetësim legjitim të politikës së jashtme për të parën herë në histori.
Dr. Kissinger thotë se merita për këtë ide të re u takonte aleatëve evropianë dhe se Shtetet e Bashkuara e mbështetën atë në mënyrë aktive. Ai thotë se klauzolat për të drejtat e njeriut të Aktit Final të Helsinkit u kthyen në një katalizator për lirinë në Evropë, duke mundësuar krijimin e Solidarnostit në Poloni dhe të organizatave disidente në Çekosllovaki.
Në gjithë vendet e Evropës Lindore nën kontrollin sovjetik, u krijuan organizata që mbikqyrnin nëse qeveritë e vendeve të tyre po i zbatonin marrëveshjet e Helsinkit. Zoti Kissinger thotë se angazhimi dhe vendosmëria e tyre për respektimin e këyre marrëveshjeve, solli rrëzimin e Murit të Berlinit dhe shpërbërjen përfundimtare të Bashkimit Sovjetik.
“Unë besoj se bashkimi i Gjermanisë, fundi i Paktit të Varshavës, rrëzimi i regjimeve satelite në Evropën Lindore, zhvillime si ato në Ukrainë, i atribuohen në një farë mase Aktit të Helsinkit dhe në një masë më të madhe përkushtimit të njerëzve që ishin të gatshëm të rrezikonin jetën për atë ide”.