Agjencia amerikane e hapësirës, NASA, ka në plan të hedhë në orbitë anijen Discovery nesër megjithë shqetësimet lidhur me motin dhe ndjesorin e depozitës së karburantit, që u bë shkak për shtyrjen e misionit në fillim të këtij muaji.
Meteorologët thonë se ka 40 përqind mundësi që qielli të jetë i mbushur me re ose të bjerë shi në Qendrën e Hapësirës Kennedy në Florida nga ku do të lëshohet anija.
Inxhinierët e NASA-s ende nuk e kanë përcaktuar shkakun se përse një depozitë e mbushur me hidrogjen nuk funksionoi në përpjekjen e parë për lëshimin e anijes Discovery në hapësirë më 13 korrik. Por inxhinierët kanë shprehur besim se ndijesori do të funksionojë normalisht këtë herë. Nëse koha do të jetë e mirë, Discovery do të niset në mëngjes. Shtëpia e Bardhë thotë se zonja e parë amerikane Laura Bush do të marrë pjesë në lëshimin e anijes.
Misioni i Discovery-it është i pari pas shpërthimit të anijes Kolumbia më shumë se dy vjet më parë. Ekuipazhi prej 7 anëtarësh i anijes do të çojë furnizime në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës dhe do të kryejë një seri provash sigurie.