Lidhje

Kosovë: Dënohen shpërthimet e së shtunës


Autoritetet më të larta ndërkombëtare dhe vendase i dënuan fuqishëm shpërthimet e së shtunës në Prishtinë, të cilat shkatërruan tri automjete në oborrin e selisë së Misionit të Kombeve të Bashkuara, një lokal përballë selisë së Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë dhe shkaktuan dëme në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.

Shefi i UNMIK-ut, Soren Jessen-Petersen duke i dënuar ashpër shpërthimet theksoi se nuk do të lejohet që veprimet e tilla, “që nuk e kanë përkrahjen e qytetarëve”, të dëmtojnë procesin demokratik në Kosovë. “Dhuna nuk do të lëkundë përkushtimin për të mbështetur Institucionet e Përkohshme të vetëqeverisjes dhe qytetarët e Kosovë në përpjekjet e tyre të fuqishme për të ndërtuar një Kosovë paqësore, demokratike e shumetnike”, thuhet në reagimin e shefit të UNMIK-ut Soren Jessen-Petersen.

Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, i cilësoi shpërthimet e së shtunës si akte të rrezikshme që synojnë destabilizimin e vendit. Në reagim thuhet se shpërthimet ndodhën në kohën kur pritet të bëhet vlerësimi pozitiv i përparimit të Kosovës, që do të hapte rrugën për njohjen e pavarësisë. “Ato, thuhet në reagim, janë të drejtuara kundër lirisë, pavarësisë dhe demokracisë së Kosovës, kundër institucioneve ndërkombëtare e kombëtare dhe jetës së qytetarëve”. Presidenti Rugova nënvizoi vendosmërinë që, “në bashkëpunim të ngushtë me praninë ndërkombëtare”, të vazhdohet ndërtimi i një shoqërie dhe shteti demokratik për të gjithë qytetarët, për t’u njohur në planin ndërkombëtar si vend i pavarur dhe sovran.

Shefi i Misionit të OSBE-së, Verner Vnend, tha se shpërthimet e mbrëmshme ishin përpjekje për të krijuar pasiguri dhe frikë në mesin e qytetarëve të Kosovës në kohën kur kjo e fundit është vënë në rrugë të mirë për zgjidhje paqësore të problemeve. Ai shprehu bindjen se veprimet e tilla nuk kanë përkrahjen e qytetarëve dhe udhëheqësve politikë të Kosovës.

Qeveria e Kosovës i ka cilësuar shpërthimet e mbrëmshme si veprime të organizuara që synojnë të dëmtojnë të ardhmen e Kosovës dhe të kryera nga qarqe që nuk i duan përparimet e arritura në Kosovë.

Sulmet e mbrëmshme në Prishtinë u dënuan me forcë edhe nga zyra e Shteteve të Bashkuara. “Njerëzit që kryejnë këto akte të dhunës janë kundër qëllimeve për arritjen e të cilave shumica e kosovarëve janë duke punuar aq shumë. As populli i Kosovës e as bashkësia ndërkombëtare nuk do të lejojnë që aktet e terrorizmit të na shmangin nga puna e rëndësishme që kemi përpara”, thuhet në një reagim të shefit të Zyrës Amerikane në Prishtinë, Philip Goldberg.

Shpërthimet e së shtunës kanë lënë nën hije interesimin e qytetarëve të Kosovës për zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, fushata për të cilat është ndjekur me vëmendje. Duke u përpjekur për të mos u ndërlikuar në rivalitetet e atjeshme, përfaqësues politikë e jopolitikë kanë bërë thirrje për një proces të qetë zgjedhor duke e cilësuar atë të rëndësishëm edhe për Kosovën. Është karakteristike se një pjesë e madhe e qytetarëve të Kosovës kanë planifikuar edhe pushimet duke u bazuar në zgjedhjet e sotme dhe rezultatet e tyre. //az//

XS
SM
MD
LG