K.Q.Z. bëri sot thirrje njësive të pushtetit vendor që të sjellin sa më parë materialet e tyre të munguara për numrin e qendrave të votimit të çdo zone zgjedhore dhe numrin përkatës të votuesve, dhe të mos rrezikojnë më proçesin zgjedhor me vonesa.
Kryetari i KQZ, Ilirian Celibashi tha në mbledhjen e sotme të Komisionit se vetëm 107 kryetarë bashkish e komunash kanë sjellë numrin e qendrave të votimit dhe numrin e zgjedhësve në listën përfundimtare për çdo qendër votimi.
Ndërsa pjesa tjetër ka sjellë vetëm të dhëna paraprake mbi listat, por jo përfundimtare. Ai tha se për ata zyrtarë të pushtetit vendor që nuk do të sjellin këto materiale të domosdoshme për një proçes normal votimi, KQZ ka përgatitur padi kundër tyre në organet e drejtësisë. “K.Q.Z. po përgatit që lidhet me marrjene masave administrative ndaj këtyre kryetarëve të njësive të qeverisjes vendore dhe dërgimin për ndjekje penale pranë prokurorisë. KQZ e quan këtë një thyerje të rëndë të ligjit këtë pengim të proçesit zgjedhor. Ata kanë patur të gjitha mundësitë që ta sillnin këtë informacion të kërkuar. Është detyrim i ligjit dhe nuk mund të shkarkohen nga këto përgjegjsi”- tha zoti Celibashi.
Zoti Celibashi u kërkoi partive politike që të paraqesin sa më parë emrat e komisionerëve të tyre për komisionet e qendrave të votimit dhe për grupet e numërimit të votave.
Ndërkaq përfaqësuesi i PD pranë KQZ, Ferdinand Poni, kërkoi mbylljen e atyre qendrave të votimit që kanë më pak se 100 votues, siç e kërkon ligji. Ai tha se PD është e gatshme të sjellë emrat e komisionerëve ashtu edhe materialet e kërkuara mbi qendrat e votimit nga pushteti vendor. “Unë shpreh gadishmërinë e Partisë Demokratike që të gjithë komisionerët të jenë në punë. Ne nuk kemi asnjë komisioner të paemëruar dhe do t’i forcojmë standartet lidhur me qendrat e votimit dhe me grupet e numëruesve. Besoj se kemi kontribuar edhe në mbledhjen e informacionit për listën përfundimtare”- tha zoti Poni.
K.Q.Z. është ankuar për muaj me radhë lidhur me vonesat që partitë politike po shkaktonin në përgatitjen e zgjedhjeve. Për mëse 4 muajsh ajo u kërkoi zyrtarëve dhe partive politike bashkëpunim mbi ngritjen e komisioneve, përmirësimin e listave, dhe trajnimin e administratës zgjedhore mbi Kodin e Ri Zgjedhor.
Por vonesat disa ditore dhe disa javore që u shkaktuan tani janë mbledhur së bashku në një mungesë të madhe kohe ndërsa dita e zgjedhjeve 3 korriku po afrohet me shpejtësi, së bashku me ethet e fushatave partiake.