Nisma e Presidentit Bush për zhvillim global, Llogaria e mijëvjeçarit, parashikon dhënien e fondeve për vendet e varfra që nxisin reforma demokratike dhe ekonomike. Por disa ligjvënës amerikanë shqetësohen se nisma e re miliarda dollarëshe po pakëson paratë nga programet ekzistuese të ndihmës amerikane. Ndërsa të tjerë shtrojnë pyetjen se përse këto shuma nuk shpenzohen më me shpejtësi.
Shteti-ishull afrikan i Madagaskarit është i pari vend që nënshkruan Llogarinë e Mijëvjeçarit. Kontrata katër vjeçare do t’i sigurojë vendit rreth 110 milionë dollarë për të vënë në jetë një ekonomi tregu, për të garantuar të drejtat e pronësisë dhe për të konsoliduar prodhimin bujqësor.
Negociatat po zhvillohen në Gjeorgji, Honduras, Nicaragua dhe në Kepin e Gjelbër për marrëveshje të ngjashme.
Paul Applegarth, presidenti i Korporatës së Mijëvjeçarit tha dje para Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë se beson se programi dyvjeçar është rruga më efektive e shpërndarjes së ndihmës për zhvillim në gjithë botën. “Procesi konsultativ për marrjen e ndihmës ndryshon nga vendi në vend dhe do të reflektojë historinë, kulturën ose zakonet e vetë vendit”.
Presidenti Bush e prezantoi programin për Llogarinë e Mijëvjeçarit në vitin 2002, duke thënë se bota ka nevojë për një mënyrë të re për çrrënjosjen e varfërisë, që të kishte të bënte me më shumë përgjegjësi nga vendet e pasura dhe të varfra.
Por Korporata për Llogarinë e Mijëvjeçarit ka 2.5 miliardë dollarë fonde të pashpenzuara dhe disa anëtarë të Kongresit shtrojnë pyetjen se pse nisma po ecën kaq ngadalë. Të tjerë, si Senatori Demokrat Paul Sarbanes druhen se rritja e fondeve për Llogarinë e Mijëvjeçarit, po bëhet në kurriz të agjencisë amerikane për ndihmë të huaj, USAID. “Megjithë garancitë që kemi marrë, ne shohim në propozimin për buxhetin e vitit 2006 se fondet e korporatës e llogarisë së mijëvjeçarit parashikohet të rriten, në fakt një dyfishim nga niveli i vitit të kaluar prej 1.5 miliardësh në një kërkesë prej 3 miliardë dollarësh në vit. Por njëkohësisht, presidenti ka propozuar pakësime të konsiderueshme në llogaritë kryesore të agjencisë për zhvillim ndërkombëtar”. Zoti Sarbanes thotë se disa nga shkurtimet e këtyre fondeve kanë të bëjnë me programe të rëndësishme për zhvillimin e fëmijëve.
Por zoti Applegarth thotë se Llogaria e Mijëvjeçarit është një plotësim i punës së Agjencisë për Zhvillim Ndërkombëtar. Ai thotë se kjo nismë nxit zhvillimin e vendeve për ndërmarrjen e reformave afatgjata ekonomike dhe politike, por pa sakrifikuar synimet kryesore të politikës së jashtme amerikane. “Ka një nevojë të vërtetë dhe të gjithë e kanë pranuar se ndihma për zhvillim është jo vetëm një pasqyrim i vlerave amerikane, por është edhe diçka e rëndësishme për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe është në thelb ajo që amerikanët duan të bëjnë”.
Komisioni për Marrëdhënie Ndërkombëtare i Dhomës së Përfaqësuesve do të diskutojë mbi shqetësimet për efektivitetin e Korporatës së Llogarisë së Mijëvjeçarit, gjatë seancave të kësaj jave.