Nesër, qeveria Berluskoni përballë votëbesimit në parlament Kjo është qeveria që ka qendruar më gjatë në pushtet në Italinë e pasluftës Qeveria e tanishme italiane, e cila ka qendruar më gjatë se çdo qeveri tjetër në historinë e Italisë së pasluftës, do të përballet këtë javë me një votëbesim.
Kryeministri Silvio Berlusconi, i cili ndodhet në krizën më të rëndë politike të këtyre katër viteve të fundit, deklaroi se parlamenti duhet të vendosë nëse qeveria e tij duhet apo jo të japë dorëheqjen.
Kryeministri Silvio Berlusconi vazhdon të jetë nën presionin në rritje të aleatëve të koalicionit, pas disfatës së rëndë që pësoi në zgjedhjet lokale në fillim të këtij muaji. Tani, ai po lufton për të ardhmen e tij politike.
Javën e kaluar, dy parti e tërhoqën mbështetjen ndaj qeverisë së tij: Bashkimi Demokristian i qendrës dhe Socialistët e Rinj Italianë. I ndodhur përballë krizës më të rëndë politike në katër vjet, zoti Berluskoni u takua të hënën me presidentin italian. Ai vendosi të mos japë dorëheqjen menjëherë por t’ia nënshtrojë qeverinë e tij një votëbesimi në parlament të enjten. Zëdhënës të qendrës së majtë të opozitës thonë se e kanë të vështirë ta besojnë se gjërat arritën deri në këtë pikë dhe po bëjnë thirrje për zgjedhje parlamentare të parakohëshme.
Udhëheqësi i komunistëve italianë, Oliviero Diliberto u shpreh me këto fjalë: ”Është e turpshme që parlamenti ende nuk e ka thënë fjalën e tij. Por, tha zoti Diliberto, përveç debatit parlamentar, rruga që duhet ndjekur është të pyeten qytetarët italianë se nga kush duan të qeverisen. Prandaj, zgjedhjet duhen mbajtur sa më shpejt që të jetë e mundur.” Nëse qeveria e qendrës së djathtë humbet në votëbesimin e së enjtes, asaj do t’i duhet të japë dorëheqjen.
Qeveria e zotit Berlusconi është qeveria që ka ndenjur më shumë në pushtet në Italinë e pasluftës. Nesër, kryeministri italian do të mbajë fjalime në parlament, së pari në senat dhe pastaj në dhomën e deputetëve. Bashkimi i Demokristianëve i kishte bërë thirrje zotit Berluskoni të jepte dorëheqjen dhe të formonte një qeveri të re me një platformë të re.
Kryeministri nuk pranoi dhe kjo parti i tërhoqi të katër ministrat nga qeveria.
Megjithatë, Bashkimi Demokristian ka deklaruar se do të vazhdojë të votojë pro qeverisë Berluskoni në parlament. Mirëpo një zhvillim tjetër mund ta godasë më tej koalicionin qeverisës. Partia Aleanca Kombëtare thotë se do të vendosë nëse edhe ajo do të tërheqë ministrat e saj si dhe mbështetjen për qeverinë.