Qeveria japoneze protestoi fuqishëm ndaj faktit që Kina nuk arriti të ndalë një valë të re demonstratash anti-japoneze.
Një deklaratë e ministrisë së jashtme e publikuar sot akuzon Kinën se nuk po bën asgjë rreth protestave të dhunshme edhe pse autoritetet janë të informuara për to.
Të paktën 10 mijë demonstrues dolën sot në rrugët e Shangait, disa duke hedhur gurë dhe shishe në konsullatën japoneze.
Mijëra njerëz protestuan edhe në qytetet lindore Hang Zhou dhe Tian Jin.
Demonstruesit dënuan kërkesën e Japonisë për një vend të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, si edhe miratimin e teksteve të reja shkollore ku minimizohen krimet e kohës së luftës së Japonisë në Kinë.
Në Pekin prania e madhe e policisë bëri të shmangej përsëritja e protestave që ndodhën javën e kaluar.
Të dielën, ministri i jashtëm japonez pritet të vizitojë Kinën.