Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, u bëri thirrje udhëheqësve të rinj të Irakut të emrojnë njerëz të aftë në poste të larta dhe të shmangin vonesat në procesin e kalimit në demokraci. Zoti Rumsfeld u takua dje në Bagdad me presidentin irakian, Xhalal Talabani, dhe me Kryeministrin Ibrahim al-Xhafari. Ai vizitoi edhe trupa amerikane dhe shkoi në Irakun verior për të falenderuar udhëheqësit kurdë për rolin e tyre në çlirimin e vendit.
Ndërkohë, kryengritësit i vazhduan sulmet gjatë vizitës së Sekretarit Rumsfeld. Në Mosul, shpërthimi i një makine bombë shkaktroi vdekjen e 5 civiëve. Një makinë tjetër bombë shpërtheu në Tal Afar më në lindje, duke shkaktuar gjithashtu vdekjen e pesë vetëve.
Ndërkohë trupat amerikane vranë disa persona të dyshuar si kryengritës gjatë një bastisjeje pranë kufirit me Sirinë. Po dje, qeveria irakiane njoftoi se ka kapur Fadil Ibrahim Mahmud al-Mashdanin, një ish anëtar i lartë i Partisë Baath të Sadam Huseinit, i cili mendohet se ka organizuar dhe financuar sulme kryengritëse.
Presidenti Bush përkujtoi dy-vjetorin e çlirimit të Bagdadit me një vizitë në një bazë ushtarake në Teksas.Presidenti e shfrytëzoi këtë rast për të falënderuar trupat amerikane, sipas fjalëve të tij, për punën e tyre fisnike.
Të njëjtën ditë që Sekretari amerikan i Shtetit Donald Rumsfeld bëri një vizitë të papritur në Bagdad, Presideti Bush shkoi për një vizitë në bazën amerikane Fort Hood, një nga më të mëdhatë në Shtetet e Bashkuara.
Me këtë rast, synimi i Presidentit ishte i dyfishtë: për t’i dhënë një nxitje morale trupave amerikane në Irak dhe për të falënderuar ata që janë kthyer në shtëpi për guximin dhe sakrificën e tyre. "Në se ktheheni nga, apo shkoni në Irak, kjo ndikon së tepërmi në sigurinë e vendit tonë dhe në paqen në botë", tha presidenti.
Ushtarët i bënë Presidentit në pritje tepër entuziaste: 25 mijë ushtarë duartrokisnin dhe valvisnin flamujt, teksa ishin mbledhur për të përshëndetur komandantin e tyre të përgjithshëm. Ai tha se ushtarët i kishin dhënë një arsye të mirë për të qenë krenarë për arritjet e tyre.
"Terroristët e kanë bërë Irakun frontin qendror të luftës kundër terrorizmit. Për shkak të shërbimit tuaj, sakrificave tuaja, ne po arrijmë sukses në vendin e tyre, kështuqë nuk na duhet të përballemi me ta këtu, në shtëpinë tonë". Presidenti theksoi se njësi të bazës ushtarake të Fort Hood-it kanë shërbyer në Irak që nga fillimi i luftës dhe ata ishin të pranishëm atje edhe dy vjet më parë, më 9 prill të vitit 2003, kur në Bagdad u rrëzua statuja e Sadam Husseinit. "Rrëzimi i statujës së Sadam Husseinit në Bagdad do të mbahet mend krahas me rënien e Murit të Berlinit, si një nga momentet më të mëdha në historinë e lirisë".
Presidenti tha se që nga ai moment kanë ndodhur shumë gjëra - Sadam Husseini ndodhet tani në një qeli burgu dhe irakianët po ndërtojnë vendin e tyre të lirë, ku ata mund të vetëqeverisin vendin e tyre dhe mund të vendosin sigurinë në vendin e tyre. Ai tha se me të ndodhur kjo, trupat amerikane mund të kthehen në atdhe me nderin që meritojnë.