Trashëgimia e Papës i kalon caqet e kishës katolike. Ati i Shenjtë ishte një njeri, i cili me shpresën dhe besimin e tij ndihmoi në trasformimin e botës.
Papa Gjon Pali i Dytë ishte papa i parë jo-italian në më shumë se 450 vjet. Ai u zgjodh Papë në një moment ndryshimesh të mëdha në botë. Ai e luftoi totalitarizmin me mirësi dhe njerëzi dhe me thirrjen e tij drejtuar atyre që donin liri, duke thënë “Mos kini frikë.”
Zbignjev Bërzhinski, gjithashtu me prejardhje nga Polonia, e njihte mirë Papën. Zoti Bërzhinski, ish këshilltar i sigurimit kombëtar gjatë administratës së presidentit Jimmy Carter, tha për një rrjet televiziv amerikan, se kur Papa e kapërceu Perden e Hekurt, me vizitën që bëri në vendlindjen e tij Poloni në vitin 1979, kjo vizitë pati një ndikim shumë të madh politik.
“Ky Papë, në një mënyrë shumë të drejtëpërdrejtë e shumë të thjeshtë, sepse ai nuk ishte një njeri me pretendime, transmetoi një bindje shumë të madhe, kaq shumë besim, kaq shumë shpresë sa që ishte dashamirëse. Dhe pikërisht kjo i dha atij pushtet në çështjet politike, pa u futur drejtëpërdrejtë në politikë.”
Ish presidenti sovjetik, Mihail Gorbaçov, tha se mbrojtja nga ana e Papës e të drejtave të njeriut ndihmoi Evropën Lindore që të dilte nga sundimi komunist. Zoti Gorbaçov e cilësoi Papën si udhëheqësin më human në botë.
“Varfëria, luftimi i varfërisë, thirrjet për të ndihmuar të varfërit, për të arsimuar fëmijët dhe për të ruajtur kulturën e tyre; mendoj se humanizmi i tij i madh u pa qartë nëpërmjet këtyre thirrjeve.”
Senatorja Hillary Clinton, e cila u takua me Papën kur ishte Zonja e Parë e Amerikës, tha se aftësia e tij për të falur dhe për t’u lutur për personin që u përpoq ta vriste atë më 1981 tregoi humanizmin e jashtëzakonshëm të Papës.
“Fuqia e tij në përpjekjet për t’u bërë thirrje njerzve që të kërkojnë zgjidhje dhe ripajtim në mënyrë paqësore, ashtu siç veproi ai vetë, do të jetë një prej aspekteve më të palëkundura të trashëgimisë së tij. Shpreson që kjo të jetë një sfidë jo vetëm për ne që jemi në shërbim të publikut, por për të gjithë njerzit në jetën e tyre.”
Papa Gjon Pali i Dytë vizitoi më shumë se 100 vende të botës dhe ishte Papa i parë që hynte në një sinagoge dhe në një xhami. Ai predikoi një mesazh shpirtëror të tolerancës dhe paqes si dhe foli kundër anti-semitizmit dhe racizmit. Presidenti Bush tha dje se Papa ishte një njeri i Zotit, i cili i tregoi botës se një njeri mund të sjellë ndryshime në jetën e shumë njerzve.
“Një prej trashëgimive të tij më të mëdha do të jetë ndikimi që ai pati tek të rinjtë. Ai foli në emër të të varfërve, rreth vlerave morale. Natyrisht që ai ishte njeri i paqe, ishte kundër luftës dhe unë e kuptoja plotësisht qëndrimin e tij.”
Kardinali Theodore McCarrick, arkipeshkvi i dioqesë së Washingtonit, e takoi Papën për herë të parë në vitin 1976.
“Mendoj se dy mësimet e tij më të mëdha janë respekti për jetën dhe respekti për dinjitetin njerzor. Në të gjitha shkrimet e tij, në të gjitha bisedat e tij ai shprehej se jeta është e rëndësishme, jeta dhe dinjiteti njerzor duhen respektuar.”
Papa Gjon Pali i Dytë e bëri papatin më popullor. Dhe tani njerzit mbajnë radhën për t’i bërë nderimet e fundit njeriut që ishte kryetari i 246 i Kishës Katolike. Trupit të tij do t’i bëhen nderime në katedralen e Shën Pjetrit deri në varrimin e tij të premten më 8 prill.