Në Florida vdiq, Terri Schiavo gruaja me dëmtime në tru e cila u vu në qendër të një beteje të gjatë ligjore dhe politike. Zonja Shaivo vdiq sot në një spital, 13 ditë pasi iu hoq tubi ushqyes me miratimin e një gjykatësi të shtetit Florida.
Një kardinal i lartë i Vatikanit dënoi sot heqjen e tubit, duke e cilësuar një sulm ndaj Zotit. Fati i zonjës Shaivo ka tërhequr vëmendje ndërkombëtare.
Presidenti Bush dhe Kongresi mbështetën përpjekjet e prindërve për ta mbajtur gjallë të bijën, por gjykatat shtetërore dhe federale mbështetën në mënyrë të përsëritur të shoqin, Michael, i cili këmbëngulte se e shoqja nuk do të kishte dashur të mbahej gjallë artificialisht.
Çështja e zonjës Shaivo u vu në qendër të një debati të ndezur lidhur me të drejtën për të vdekur. Ajo vdiq afro 2 javë pasi iu hoq tubi ushqyes në përputhje me një urdhëresë gjykate, pas kërkesës së të shoqit. Presidenti ishte ndër politikanët e angazhuar në përpjekjet për ta anuluar urdhëresën. Ai u kthye në Washington pas pushimeve në fermën e tij në Teksas për të nënshkruar një ligj që do t’u jepte prindërve mundësinë për të apeluar vendimin.
Në komentet e tij, presidenti tingëllonte sikur po u fliste drejpërdrejt prindërve dhe përkrahësve të tyre: "U bëj thirrje të gjithë atyre që nderojnë Terri Shaivon të punojnë për të krijuar një kulturë jete, ku të gjithë amerikanët të ndjehen të mirëpritur, të vlerësuar dhe të mbrojtur, veçanërisht ata që jetojnë në mëshirë të të tjerëve".
Terri Shaivo pësoi dëmtime në tru 15 vjet më parë, gjë që e bëri të kalonte në një gjendje vegjetative.