Ligjvenësi demokrat Tom Lantosh, numri dy në Komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, shprehu besimin se një Kosovë e pavarur do të kontribuojë në shtimin e qëndrueshmërisë në Ballkan. Zoti Lantosh, i cili në karrierën e tij të gjatë si anëtar i Kongresit ka shprehur vazhdimisht shqetësim për gjendjen e shqiptarëve të Kosovës, i bëri këto komente dje në një konferencë shtypi të organizuar nga Zëri i Amerikës.
Ligjvenësi Tom Lantosh tha se pret që Kosova të dalë si shtet i pavarur dhe sovran brenda një të ardhmeje shumë të parashikueshme, një shtet të cilit do t’i duhet të pranojë përgjegjësinë e tij për të garantuar të drejta të plota dhe të barabarta për të gjithë qytetarët, pavarësisht nga prejardhja e tyre etnike ose fetare. Kosova, tha zoti Lantosh, do të zerë vendin e saj brenda disa viteve si anëtare e Bashkimit Evropian. Ajo do të kontribuojë me talentet e saj për tabllonë gjithnjë e më komplekse dhe interesante të Bashkimit Evropian.
Zoti Lantosh tha se ideja se një entitet me një popullsi prej mbi 95 përqind shqiptare mund të mbetet shtesë e Serbisë është jorealiste. Ligjvënësi Lantosh mendon se Kosova do të bëhet vend demokratik i Bashkimit Evropian e respektues i të drejtave të njeriut dhe parashikon që aleatët evropianë dhe Shtetet e Bashkuara të ndërmarrin veprime të përbashkëta në këtë drejtim.
I pyetur nëse pavarësia e Kosovës mund ndikojë negativisht në marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoninë fqinje, ligjvënësi Lantos pohoi se në disa pjesë të Ballkanit ekzistojnë probleme të vazhdueshme etnike në disa raste të ashpra, por në kontinentin evropian ekziston shpresa dhe kjo shpresë është Bashkimi Evropian.
Ligjëvënësi nga Kalifornia shprehu besimin se një Kosovë e pavarur do të kontribuojë në shtimin e qëndrueshmërisë në mbarë rajonin. Maqedonisë do t’i duhet të mësohet si ta trajtojë shumëllojshmërinë e saj etnike, dhe ta shikojë atë ashtu si e shohim ne në këtë vend, tha zoti Lantosh, si një pasuri të vlefshme dhe jo si një barrë të mundimëshme. Asnjë vend në botë nuk ka llojshmëri etnike më të madhe sesa Shtetet e Bashkuara dhe kjo shumëllojshmëri është fuqia themelore e këtij vendi të madh. Fakti që sekretarja e Shtetit është simbolika e kësaj shumëlloshmërie etnike në postet udhëheqëse është ndoshta argumenti më i fortë që shumëllojshmëria etnike e bën vendin më të fortë, tha zoti Lantosh