Partia Demokratike e opozitës po përgatit një tubim në sheshin kryesor të Tiranës të dielën, në kulmin e një serie të gjatë veprimtarish politike me motivin “Ditët e shpresës” që kanë synuar të tërheqin vëmendjen e opinionit publik dhe përkrahësve për zgjedhjet e ardhshme.
Organizimi i tubimeve po shkon paralel me publikimin çdo ditë të emrave të rinj të kandidatëve demokratë për deputetë në zgjedhjet e verës. Përfaqësues të PD-së bëjnë të ditur jozytarisht se për partinë e tyre do të kandidojë një numër i madh politikanësh themelues të saj, ndonëse ata i kanë qëndruar asaj larg dhe kundër për shumë vjet.
Nga një mbledhje e tubim në tjetrin Partia Demokratike ka rikthyer në tryeza e tribuna shumë nga figurat e saj të njohura që nga krijimi i partisë e deri në fragmentimin e sotëm. Ideja e një ribashkimi dhe riorganizimi të forcave opozitare në përpjekje për të fituar zgjedhjet e përgjithshme i ka tunduar mjaft nga partitë e vogla politike si edhe politikanë që për shumë vjet bashkëpunuan me Partinë Socialiste dhe punuan në poste të larta të qeverive të saj, ndërkohë që anatemoheshin nga PD për mëse një dekadë.
Kryetari i PD, Sali Berisha, thotë se krahas figurave të njohura themeluese të partisë së tij, pritet të kandidojnë edhe shumë anëtarë të komitetit të orientimit të Politikave, një strukturë që u grit para disa javësh për të përgatitur platforma e strategji teknike nw fusha të ndryshme.
Fondi i kandidatëve të PD-së me themeluesit, ata ekzistuesit dhe teknokratët duket se është zgjeruar mjaft dhe i ngjan i mjaftueshëm për të konkurruar kandidatët e PS-së.
Kryeministri Fatos Nano e përdori festën e Ditës së Verës për të publikuar disa nga emrat e rinj që do të kandidojnë nën stemën e PS-së, gjë që u vërejt nga shumë analistë si një përpjekje për të barazpeshuar lëvizjet e fundit të opozitës.
Në radhët e socialistëve kanë plasur me këtë rast komentet e të pakënaqurve që ndjehen të kërcënuar me largim nga gara zgjedhore, dhe jozyrtarisht mësohet se janë të paktën njëzet deputetë socialistë aktualë që nuk rikandidohen nga PS në zgjedhjet e pas tre muajve.
Analistët politikë theksojnë se tetë vjet në opozitë, e etur për të fituar zgjedhjet, PD dhe aleatët e saj po reagojnë më mirë në arenën politike ndaj problemeve ekonomiko-sociale dhe ata pritet të kenë një fushatë zgjedhore tërheqëse.
Por nga tjetër, mbetet të shihet edhe se sa e kanë lodhur Partinë Socialiste kostot sociale të reformave, lufta politike dhe akuzat për korrupsion e shpërdorim pushteti pas dy mandateve të plota qeverisëse.