Lidhje

Shtetet e Bashkuara mbi të drejtat e njeriut në Arabinë Saudite


Në raportin e fundit të Departamentit amerikan të Shtetit mbi të drejtat e njeriut thuhet se me gjithë një farë përparimi që është bërë në Arabinë Saudite, gjendja e të drejtave të njeriut në atë vend mbetet përgjithësisht e rëndë dhe sa atje vazhdojnë probleme serioze. Arabia Saudite është një monarki pa parti politike dhe qytetarët sauditë nuk kanë të drejtën të ndryshojnë qeverinë e tyre. Forcat saudite të sigurimit vazhdojnë të abuzojnë të arrestuarit dhe të burgosurit, të bëjnë arrestime në mënyrë arbitrare dhe të mbajnë njerëz në izolim të plotë.

Mes atyre që mbahen në paraburgim janë njerëz që mbështesin liberalizimin e sistemit shtypës të Arabisë Saudite. Abdul Rahman Al-Lahemi është avokat në fushën e të drejtave të njeriut, i cili shërbente si këshilltar ligjor i tre reformistëve të njohur sauditë që u arrestuan në mars të vitit të kaluar.

Zoti Al-Lahem u burgos në nëntor nën akuzat se kishte kritikuar zyrtarë të qeverisë, kishte punuar kundër qeverisë dhe se kishte shkelur premtimin për të mos folur me punonjës të organeve ndërkombëtare të shtypit. Para burgimit, zoti Al-Lahem ishte arrestuar disa herë për shkak se në intervista me rrjetet televizive satelitore Al-Xhazira dhe Al Arabia, ai kishte bërë thirrje për reforma demokratike dhe për një monarki kushtetuese në Arabinë Saudite.

Presidenti Bush përshëndeti votimin e parë në një seri zgjedhjesh komunale në Arabinë Saudite dhe bëri thirrje për hapa të mëtejshëm drejt reformës, përfshirë pjesëmarrjen e grave në një proces demokratik. “Shtetet e Bashkuara, tha Presidenti Bush, po i bëjnë thirrje Evropës dhe të tjerëve që të ndihmojnë në nxitjen e ndryshimeve demokratike në Lindjen e Mesme:

“Rritja e shpresave në Lindjen e Mesme kërkon edhe një mënyrë të re të të menduarit në kryeqytetet e demokracive të mëdha, përfshirë Uashingtonin. Tani duhet të jetë bërë plotësisht e qartë se periudha prej dekadash e justifikimit dhe e mbështetjes së tiranisë në kërkim të qendrueshmërisë ka çuar vetëm në padrejtësi, paqendrueshmëri dhe tragjedi.”

Regjimi autoritar, theksoi Presidenti Bush, nuk është rruga e së ardhmes, por është gulçima e fundit e së kaluarës së diskredituar.”

XS
SM
MD
LG