Në një fjalim që mbajti në Bruksel, Presidenti Bush tha: “Në këtë shekull të ri, aleanca mes Evropës dhe Amerikës është shtylla kryesore e sigurisë sonë. Tregëtia jonë e fuqishme është një nga lokomotivat e ekonomisë botërore. Shembulli ynë i lirisë ekonomike dhe politike u jep shpresa miliona njerëzve që vuajnë nga varfëria dhe shtypja. Asnjë debat i momentit, asnjë mosmarrëveshje kalimtare mes qeverive, asnjë fuqi në botë nuk mund të na ndajë”.
Në dy luftra botërore, Evropa provoi natyrën agresive të tiranisë. Me Luftën e Ftohtë, gjysma lindore e kontinentit ra nën shtypjen komuniste sovjetike. Por në Evropë morën jetë gjithashtu edhe lëvizjet demokratike si Solidariteti në Poloni. Lëvizje të tilla më pas përmbysën komunizmin sovjetik dhe i dhanë fund ndarjes në Evropë. “Përhapja e lirisë, tha Presidenti Bush, na ka ndihmuar në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe zgjerimi i NATO-s dhe Bashkimit Evropian i shndërroi ish-rivalët tanë në partnerë”.
“Amerika e mbështet unitetin demokratik të Evropës për të njëjtën arsye që ne mbështesim përhapjen e demokracisë në Lindjen e Mesme, sepse liria sjell paqen. Amerika e mbështet një Evropë të fortë sepse ne kemi nevojë për një partnere të fortë në punën e vështirë të përparimit të lirisë në botë”.
Evropa e shfaqi ndjenjën e saj të partneritetit duke ndihmuar në zgjidhjen e krizës së zgjedhjeve në Ukrainë. Fitorja e presidentit ukrainas Viktor Jushçenko në zgjedhje ishte një fitore e demokracisë për popullin ukrainas. Kur Ukraina të ketë realizuar reformat e nevojshme, aspiratat e saj për t’u afruar dhe më pas për t’u integruar në institucionet euro-atlantike duhet të mirëpriten.
Presidenti Bush tha se edhe e ardhmja e Rusisë është në kuadrin e komunitetit transatlantik.
“Megjithatë, që Rusia të përparojë si një vend evropian, qeveria ruse duhet të ripërtërijë angazhimin për demokracinë dhe shtetin ligjor. Ne e kuptojmë që reformat nuk mund të realizohen sa hap e mbyll sytë. Gjithsesi ne duhet gjithmonë t’ia kujtojmë Rusisë se aleanca jonë ka në parimet e saj shtypin e lirë, një opozitë funksionale, ndarjen e pushtetit dhe shtetin ligjor”.
Sot, Amerika dhe Evropa kanë shanse të reja për të ndihmuar në kthimin e vendeve autoritare drejt zhvillimit ekonomik dhe qeverisë demokratike. “Liria, tha Presidenti Bush, është drejtimi i historisë, sepse liria është shpresa e përhershme e njerëzimit”.