Dy parti kryesore shiite në Irak tërhoqën sot kandidatët e tyre për postin e kryeministrit të ri të vendit.
Ministri i përkohshëm i financave Adel Abdul-Mahdi që ishte kandidat i Këshillit Suprem për Revolucionin Islamik në Irak, u tërhoq nga gara, duke lënë kështu si kandidatin kryesor të mundshëm kreun e Partisë Islamike Dawa, Ibrahim al-Jaafari.
Të dyja partitë bëjnë pjesë në Aleancën e Bashkuar të Irakut, që fitoi rreth 48 për qind të votave për Asamblenë Kombëtare.
Ndërkohë, Komisioni Zgjedhor i Irakut thotë se i janë drejtuar të paktën 3 ankesa nga grupet politike që sfidojnë rezultatet e zgjedhjeve. Nesër pritet që të shpallen rezultatet përdundimtare.
Në një zhvillim tjetër, manjati turk i transportit Kahraman Sadikoglu që u rrëmbye në Irakun jugor në dhjetor, u lirua pasi, sipas njoftimeve të shtypit, familja e tij u pagoi një shpërblim rrëmbyesve të tij.