Në Shqipëri, pas përfundimit të shqyrtimit të të gjitha kërkesave, numri i votuesve nga jashtë që mund të marrin pjesë në zgjedhjet e 11 majit, arriti në gati 246 mijë persona. Në total ishin mbi 294 mijë ata që u rregjistruan, por më shumë se 48 mijë kërkesa u refuzuan për shkak të mangësive të ndryshme. Personat të cilëve u është refuzuar kërkesa. kanë të drejtë që të ankimohen në Gjykatën e Tiranës, deri në datën 11 Prill.
Më 9 mars komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të publikojë listën paraprake, dhe emrat e votuesve nga jashtë do të hiqen nga lista e zgjedhësve në Shqipëri. Fleta e votimit do t’u shkojë me postë në banesë, emigrantëve të rregjistruar. Kryekomisioneri i zgjedhjeve Ilirjan Celibashi tha të premten se “deri në fund të javës që vjen pritet të përfundojë procedura e përzgjedhjes së operatorit të shërbimit postar”.
Nëse procesi i miratimit të listave shumemërore ecën sipas afateve të parashikuara, mes datës 8 Prill dhe 16 Prill synohet të përfundojë dërgimi i fletës së votimit dhe dokumentacionit zgjedhor.
Rregjistrimet e zgjedhësve nga jashtë vendit, tejkaluan pritshmëritë fillestare si të Komisionit Qendror të zgjedhjeve ashtu dhe të vetë partive politike. Kërkesat kanë qenë nga më shumë se 100 shtete të ndryshme të botës, por mbi 60 përqind e emigrantëve të rregjistruar janë nga Italia (mbi 91 mijë) dhe Greqia (mbi 68 mijë), ku jetojnë dhe komunitetet më të mëdha. Në vend të tretë me mbi 25 mijë kërkesa janë emigrantët nga Gjermania, të pasuar nga pak më shumë se 20 mijë nga Shtetet e Bashkuara.
Sipas parashikimeve ligjore, vota e migrantëve do të llogaritet në qarkun ku ata kanë residencën në Shqipëri. Më shumë se 52 mijë votuesë të rregjistruar i përkasin Tiranës, e pasuar nga Fieri me mbi 32 mijë votuesë nga jashtë dhe Elbasani e Durrësi me pak më shumë se 25 mijë votues nga jashtë.