Lidhje

 
Përpjekjet e grave për të tejkaluar pengesat gjinore në karrierë

Përpjekjet e grave për të tejkaluar pengesat gjinore në karrierë


Një raport nga Forumi Ekonomik Botëror thotë se do të duhen afërsisht 130 vjet që bota të arrijë barazi të plotë gjinore, ku gratë dhe burrat kontribuojnë në mënyrë të barabartë në të gjitha dimensionet e jetës. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Svitlana Prystynka bisedoi me dy gra, një emigrante nga Iraku dhe një refugjate nga Ukraina që kanë arritur suksese falë mundësive që ofrojnë Shtetet e Bashkuara.

Përpjekjet e grave për të tejkaluar pengesat gjinore në karrierë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:48 0:00

Shkencëtarja irakiane, dhe muzikante në kohë të lirë, Mirna Ayshoa thotë se lira për të jetuar siç dëshiron ajo dhe për të bërë atë që dëshiron, janë përkufizimi i jetës së saj në Amerikë.

“Situata e grave në Irak është krejtësisht ndryshe me Shtetet e Bashkuara”.

Në vitin 2015 ajo u vendos në Shtetet e Bashkuara në moshën 22 vjeçare pasi përfundoi fakultetin në Irak. Në vitin 2017, ajo mori masterin për biologji molekulare dhe qelizore nga Universiteti Shtetëror i Kolorados. Më pas bëri stazh për specialiste të instrumenteve laboratorike, duke testuar cilësinë dhe efikasitetin e pajisjeve mjekësore dhe mjeteve të tjera. Më pas u punësua si specialiste e kësaj fushe.

“Më pëlqeu shumë teknologjia dhe nuk vura re shumë gra që bënin një gjë të tillë", thotë Mirna për Zërin e Amerikës.

E dhënë pas muzikës, ajo gjeti lirinë për të marrë pjesë në koncerte dhe festivale si xhezbandiste, një tjetër profesion për të cilin thotë se do të ishte i pamundur në Irak.

“Imagjino një baterist si unë në Irak. Do të më akuzonin për besime të caktuara”.

8 Marsi është Dita Ndërkombëtare e Grave, që vlerëson arritjet sociale, ekonomike, kulturore dhe politike të grave. Zëdhënësja e Kombeve të Bashkuara për gratë, Paloma Escudero, thotë duhet bërë më shumë për të përmirësua jetën e grave.

“Ekziston një hendek i madh për barazinë e grave pothuajse në çdo sferë. Si në luftërat dhe krizat me të cilat përballet bota, përfshirë korona virusin, gratë janë ato që preken fillimisht dhe më rëndë”, thuhet në deklaratën e zonjës Escudero.

Zonja Ayshoa është vullnetare me organizata jofitimprurëse që i ndihmojnë gratë dhe fëmijët refugjatë të vendosen në Shtetet e Bashkuara.

Ajo u njoh me kuzhinieren Tatyana Stratilat, refugjate nga Ukraina që u largua nga vendi i saj pas agresionit të Rusisë. Zonja Ayshova i dha asaj disa këshilla për imigracionin ndërsa zonja Stratilat ndau me të kuzhinën ukrainase.

Jetët e grave në Ukrainë dhe Irak janë të ndryshme, por lufta e tyre për karriera të suksesshme jo tradicionale është universale, thotë ukrainasja Stratilat.

“Në Ukrainë, si dhe këtu, nuk ka shumë kuzhiniere femra. Shumica janë burra. Nuk ishte e lehtë të provosh të kundërtën”, thotë për Zërin e Amerikës refugjatja nga Ukraina.

Tatyana thotë se është e inkurajuar që gratë nga vende të ndryshme mbështesin dhe mësojnë nga njëra-tjetra.

“Pas emigrimit në Shtetet e Bashkuara kam filluar të punoj si kryekuzhiniere. Jap mësime për kuzhinën në Universitetin Shtetëror të Kolorados dhe për restorantet lokale. Po ashtu u mësoj shumë komuniteteve kuzhinën ukrainase si dhe jam instruktore private. Ndarja e pasionit të gatimit me gra nga vende të ndryshme të botës më ka sjellë shumë kënaqësi”.

Falë përhapjes së teknologjive novatore, fusha profesionale e zonjës Ayshova po zgjerohet. Ajo thotë se është e lumtur që ka gjetur profesionin e duhur.

“Kam shumë pasion për hapësirën dhe kam fatin të bashkëpunoj me NASA-n dhe SpaceX në zgjedhjen e instrumenteve të duhura laboratorike për eksperimente të ndryshme. Aktualisht, detyra ime është analizimi i rrezatimit për gjithçka që dërgohet në hapësirë apo sillet në Tokë”, thotë zonja Ayshova.

Një raport i vitit 2024 nga Forumi Ekonomik Botëror tregon se do të duhen 134 vjet, afërsisht pesë gjenerata, për të arritur barazinë e plotë gjinore në katër dimensione kryesore: mundësitë dhe pjesëmarrja ekonomike, arritjet arsimore, shëndetin dhe mbijetesën, si dhe fuqizimin politik.

XS
SM
MD
LG