Lidhje

 
Nju Meksiko, konfirmohet pas vdekjes se një i pavaksinuar ishte i infektuar me fruth

Nju Meksiko, konfirmohet pas vdekjes se një i pavaksinuar ishte i infektuar me fruth


Një banor i Nju Meksikos rezultoi pozitiv për fruthin pas vdekjes, njoftoi të enjten Departamenti i Shëndetësisë i shtetit. Kjo shënon vdekjen e dytë që lidhet me fruthin në Shtetet e Bashkuara në më shumë se një dekadë.

Pacienti në moshë madhore, që nuk ishte i vaksinuar kundër fruthit, nuk kërkoi kujdes mjekësor para vdekjes. Kjo është vdekja e parë që lidhet me këtë sëmundje në këtë shtet amerikan në mbi 40 vjet, sipas David Morgan, zëdhënës i Departamentit të Shëndetësisë në Nju Meksiko.

Shkaku i vdekjes është ende nën hetim nga eksperti mjekësor shtetëror, tha zoti Morgan.

Ky konfirmim e çon në 10 numrin e rasteve të të infektuarve me fruth në qarkun Lea, pranë qarkut Gaines në Teksas, ku janë njoftuar mbi 100 raste të infektuarve dhe një vdekje e një fëmije të pavaksinuar.

Përmasat e sëmundjes, ndër më të mëdhatë në Shtetet e Bashkuara në dekadën e fundit, ka vënë në sprovë Sekretarin amerikan të Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr, i njohur për qëndrimet skeptike ndaj vaksinave.

Në një mbledhje të kabinetit javën e kaluar, Sekretari Kennedy fillimisht minimizoi lajmin se një fëmijë kishte vdekur nga fruthi. Ai e quajti përhapjen e sëmundjes si diçka të zakonshme dhe nuk përmendi rolin e vaksinimit për të parandaluar fruthin.

Gjatë fundjavës, Sekretari Kennedy publikoi një opinion në rrjetin amerikan ‘Fox News’ ku promovonte rolin e vaksinimit. Megjithatë, ai u tha prindërve se vaksinimi ishte një zgjedhje personale ndërsa i nxiti ata të konsultohen me mjekun e tyre.

Ai gjithashtu shkroi për rolin e vitaminës A, duke mbivlerësuar efektivitetin e saj, sipas Dr. Paul Offit, ekspert i sëmundjeve infektive në Spitalin e Fëmijëve të Filadelfias. Vitamina A, sipas Dr. Offit, zbut simptimat e fruthit në vendet në zhvillim tek individët që janë të kequshqyer dhe kanë mungesë të vitaminës A.

“Nuk jam i sigurt se Vitamina A ka të njejtin ndikim në botën e zhvilluar, ku kequshqyerja dhe mungesa e vitaminës A është e pazakontë”, tha ai.

Që nga 27 shkurti, 164 raste të fruthit janë raportuar në Qendrat e Shteteve të Bashkuara për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në nëntë shtete: Alaska, Kaliforni, Xhorxhia, Kentaki, Nju Xhersi, Nju Meksiko, Nju Jork, Roud Ajlënd dhe Teksas.

Fruthi zakonisht është vdekjeprurës në një deri në tre persona për 1000 raste, tha Dr. Tina Tan, eksperte e sëmundjeve infektive në Universitetin ‘Northwestern’ në Çikago.

Ajo tha se dy vdekje nga gjithsej 164 raste tregojnë për “një shkallë vdekshmërie shumë më të lartë sesa do të shihnim normalisht”, duke shtuar se ndoshta ka shumë raste të pazbuluara.

Rastet në Nju Meksiko përfshijnë gjashtë të rritur dhe katër fëmijë nën moshën 17 vjeç. Shtatë nga këto raste ishin mes të pavaksinuarve, ndërsa historia e vaksinimit të tre të tjerëve nuk dihej ende.

Zëdhënësi i Departamentit të Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore, Andrew Nixon tha se Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) po vëzhgojnë nga afër situatën dhe në komunikim me autoritetet shtetërore shëndetësore. “CDC-ja rekomandon vaksinimin si mbrojtjen më të mirë kundër infeksioneve të fruthit”, tha ai.

Departamenti i Shëndetësisë i Nju Meksikës tha se do të hapë dy klinika vaksinimi më 11 mars.

XS
SM
MD
LG