Lidhje

Australi, krevati i parë i prodhuar nga plastika e ricikluar


Çdo vit, mijëra korniza shtretërish përfundojnë nëpër landfille, një shqetësim në rritje për ambjentalistët. E cilësuar si e para në botë, një kompani në Melburn të Australisë ka bërë një shpikje novatore, një krevat tërësisht prej plastike, që mund të revolucionarizojë mënyrën se si flemë.

Australi, krevati i parë i prodhuar nga plastika e ricikluar
please wait

No media source currently available

0:00 0:01:50 0:00

Është aq e thjeshtë sa të ndërtosh një lodër të bërë me lego.

“Brenda 60 minutash monton një krevat”, thotë shpikësi John Stehle.

Cilësohet si hapi i parë në Australi dhe një ndryshim i mundshëm për të gjithë botën.

“Mund të jetë krevati i parë në botë i tillë”, thotë Kylie Robert Frost me organizatën “Australian Bedding Stewardship Council”.

“Është një zgjidhje fantastike”, thotë Matt Genever, shefi i kompanisë “Sustainability Victoria” me seli në Melburn.

Mbetjet plastike dhe të forta, përfshirë krevatet, janë një problem i madh në Australi.

“Rreth 1,8 milionë dyshekë në vit hidhen në mbeturina në Australi dhe qindra mijëra korniza krevatesh”, thotë zoti Genever.

Por pjesët e krevatit të bëra tërësisht nga plastika e ricikluar, që zakonisht përfundon në plehra, mund ta ndryshojnë këtë prirje.

“Që nga mushamatë, kovat, arkat e qumështit, dhe pjesa dërrmuese e plastikës mund të përdoret në këtë proces”, thotë Scott Olding me firmën Robovoid.

Shtretërit e zhvilluar me fonde ndihme nga “Sustainability Victoria” janë testuar në një sërë mjedisesh, përfshirë një komunitet të vogël në Territorin Verior, qendra studentore në Melburn dhe sportistët nga “Melbourne Storm Academy”.

Provat kanë treguar se këta shtretër janë po aq të qëndrueshëm sa ata tradicionalë dhe kanë përfitime shtesë.

“Shtrati është i mirë dhe nuk ka kërcitje, diçka e paparë”, thotë Angus Hinchey me klubin “Melbourne Storm Academy”.

Provat kanë treguar se shtrati mban një peshë prej të paktën 140 kilogramësh, mund të përdoret si krevatet e zakonshëm dhe ka një jetëgjatësi prej 10 vjetësh. Pas një dekade në përdorim, krevati mund të riciklohet dhe prodhohet përsëri.

“Cikli i jetës së kësaj plastike dhe përdorimit të saj mund jetë shumë i gjatë”, thotë zoti Robert-Frost.

Këta lloj shtretërish kanë dalë në treg dhe shpikësit thonë se nëse nisma del me sukses, ajo mund të zgjerohet edhe me lloje të tjera mobiliesh të qëndrueshme.

XS
SM
MD
LG