Rreth 300 ushtarë koreano-veriorë janë vrarë dhe 2,700 të tjerë janë plagosur në luftën e Rusisë në Ukrainë, tha atë hënën agjencia e zbulimit e Koresë së Jugut para ligjvënësve në një seancë me dyer të mbyllura.
Shërbimi Informativ Kombëtar i Seulit tha se kishte qenë i pranishëm në marrjen në pyetje të disa trupave të Koresë së Veriut që ishin kapur nga forcat ukrainase.
Seanca mbahet disa ditë pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy njoftoi për kapjen e dy ushtarëve të Koresë së Veriut gjatë luftimeve në rajonin Kursk të Rusisë, ku forcat ukrainase ndërmorën një ofensivë të befasishme në gusht.
Zoti Zelenskyy tha të dielën vonë se do t’i dërgojë koreano-veriorët e kapur në vendin e tyre nëse udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un siguron një shkëmbim për ushtarët ukrainas që mbahen në Rusi.
Udhëheqësi ukrainas tha se Ukraina do të kapë ushtarë të tjerë koreano-veriorë dhe se ushtria ruse “varet nga ndihma ushtarake e Koresë së Veriut”.
Sulme me dronë
Ushtria e Ukrainës tha të hënën se shkatërroi 78 nga 110 dronët që forcat ruse lëshuan gjatë natës në sulmet që kishin në shënjestër rajone në të gjithë vendin.
Forca ajrore e Ukrainës tha se interceptimet e dronëve u bënë mbi rajonet Cherkasy, Chernihiv, Dnipropetrovsk, Donetsk, Kharkiv, Khmelnytskyi, Kyiv, Mykolaiv, Poltava, Sumy, Zaporizhzhia dhe Zhytomyr.
Guvernatori i Mykolaivit, Vitaliy Kim tha në Telegram se fragmente dronësh dëmtuan disa shtëpi, por nuk pati të lënduar. Sulmet ruse me granata në rajonin e tij plagosën një person, tha zoti Kim të hënën.
Në Sumy, zyrtarët thanë se sulmet ruse shkaktuan një zjarr në një ndërtesë banimi dhe plagosën një person. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha të hënën se shkatërroi gjashtë dronë ukrainas mbi rajonin Voronezh, si dhe një dron mbi Belgorod dhe një tjetër dron mbi Bryansk.
Ministria tha gjithashtu të hënën se një sulm ukrainas me dronë të shtunën vuri në shënjestër gazsjellësin TurkStream që përdoret për dërgimin e gazit rus në Turqi dhe Evropë. Mbrojtja ajrore ruse rrëzoi të gjithë dronët e përfshirë në sulm dhe nuk pati viktima, tha ministria.
Disa informacione për këtë artikull u morën nga agjencitë Associated Press, Agence France-Presse dhe Reuters