Lidhje

Rusia thotë se do të vazhdojë projektet e saj të naftës e gazit, pavarësisht sanksioneve amerikane


Ministria e Jashtme ruse denoncoi të shtunën sanksionet e reja të Shteteve të Bashkuara kundër sektorit energjetik të saj. Ajo i cilësoi si përpjekje për të dëmtuar ekonominë ruse duke rrezikuar siç thuhej në deklaratë destabilizimin e tregjeve globale. Moska tha se vendi do të vazhdojë me projektet e mëdha të naftës dhe gazit, pavarësisht sanksioneve.

"Sanksionet përbëjnë një përpjekje për t'i shkaktuar të njëfarë dëmi ekonomisë ruse, madje edhe me koston e destabilizimit të tregjeve botërore ndërsa afron fundi i mandatit të turpshëm të Presidentit Joe Biden në pushtet", thuhej në deklaratën e Ministri së Jashtme ruse.

Megjithë përpëlitjet në Shtëpinë e Bardhë dhe makinacionet e lobit rusofob në Perëndim, për të tërhequr sektorin botëror të energjisë në “luftën hibride” të nxitur nga Shtetet e Bashkuara kundër Rusisë, vendi ynë ka qenë dhe mbetet një lojtar kyç dhe i besueshëm në tregun global të karburantit”, vijonte më tej deklarata.

Sanksionet e së premtes përbënin paketën më të gjerë e sanksioneve që Shtetet e Bashkuara kanë vendosur deri më tani, e që synojnë të ardhurat që fiton Rusia nga nafta dhe gazi, pjesë e masave për t'i dhënë Kievit dhe administratës së ardhshme të Presidentit të zgjedhur Donald Trump, avantazh për të arritur një marrëveshje për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Departamenti amerikan i Thesarit vendosi sanksione ndaj 'Gazprom Neft SIBN.MM', 'Surgutneftegas', si dhe ndaj 183 anijeve që kanë transportuar naftë ruse, shumë prej të cilave janë pjesë e të ashtuquajturës flotë në hije cisternash në ndihmë të Rusisë, që operohen nga kompani jo-perëndimore.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy tha se masat do t'i japin një goditje thelbësore Moskës.

"Sa më pak të ardhura të fitojë Rusia nga nafta ... aq më shpejt do të rivendoset paqja", tha ai.

XS
SM
MD
LG