Lidhje

Elise Stefanik, ambasadorja e emëruar nga zoti Trump në OKB


Trump United Nations
Trump United Nations

Presidenti i zgjedhur Donald Trump emëroi ligjvënësen e Nju Jorkut, Elise Stefanik për të shërbyer si ambasadore e tij në Kombet e Bashkuara. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Margaret Besheer i hedh një vështrim karrierës dhe sfidave me të cilat ajo do të ndeshet.

Elise Stefanik, ambasadorja e emëruar nga zoti Trump në OKB
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:18 0:00

Elise Stefanik hyri në Dhomën e Përfaqësuesve në vitin 2014 në moshën 30 vjeçare si një republikane e vijës së moderuar, që përfaqësonte një zonë kryesisht rurale, në pjesën veriore të shtetit të Nju Jorkut.

“Fillimisht ajo nuk shquhej si mbështetëse e veçantë e Presidentit Trump; por ndryshoi, duke u bërë e tillë, u ngjit nëpër radhët e udhëheqjes së partisë në Kongres, dhe aktualisht, deri sa të japë dorëheqjen nga ky post, ajo mban detyrën e kryetares së grupit të republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve”, thotë profesorja e shkencave politike pranë ‘University of Albany’, Sally Friedman.

Si shefe e grupit të republikanëve, pozitë që e ka mbajtur që nga viti 2021, ajo është zyrtarja e katërt më e lartë në hierarkinë e ligjvënësve republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve.

“Ajo nuk mori pjesë në Kuvendin Republikan të mbajtur në Cleveland në vitin 2016 dhe vetëm pas zgjedhjes së tij dhe ngjitjes së tij lart, sidomos në mesin e konservatorëve, ajo u bë, siç e thotë edhe vet, “përkrahëse e flaktë e doktrinës ‘Ta Bëjmë sërish Amerikën Madhështore’”.

Për ligjvënësen Stefanik, kjo nënkuptonte që ta mbronte zotin Trump gjatë procedurave të shkarkimit në Kongres, të mbështeste pretendimet e tij se zgjedhjet e 2020 ishin vjedhur dhe të bëhej një përfaqësuese e denjë e fushatës së tij.

“Ajo është e mençur dhe shumë punëtore. Ajo ka aftësi retorike dhe është tejet efektive”, thotë zoti Seiler.

Zonja Stefanik u bë e njohur gjatë seancave dëgjimore në Kongres për protestat pro-palestineze në disa universitete amerikane.

Tre presidentë të universiteteve të njohura dhanë dorëheqje pas këtyre seancave.

Stefanik: ‘Pra përgjigja është po, që thirrja për gjenocid ndaj hebrenjve shkel kodin e sjelljes së Harvardit, a po jo?’

Gay: “E them sërish, varet nga konteksti”.

Stefanik: “Nuk varet nga konteksti. Përgjigja është PO dhe kjo është arsyeja përse duheni të jepni dorëheqjen. Përgjigjet tuaja janë të papranueshme”.

Në muajin maj, ajo shprehu përkrahjen e saj të pakursyer për Izraelin në deklaratat e bëra në Knesset, parlamenti i Izraelit, dhe ka pranuar kontribute të rëndësishme financiare për fushatën e saj nga lobet dhe individët që janë pro Izraelit.

Zoti Trump e shpalli emërimin e zonjës Stefanik si njërin prej emërimeve të para të administratës së tij të re, vetëm pesë ditë pas zgjedhjeve.

Ajo shkon në Kombet e Bashkuara me përvojë të kufizuar në çështjet e politikës së jashtme, ndërkohë që kjo organizatë botërore ballafaqohet me luftërat në Ukrainë, Gazë dhe Sudan; urinë në rritje në nivel botëror, ndryshimet klimatike dhe një sërë krizash tjera.

“Mendoj se në momentin që ajo bëhet ambasadore, Elise Stefanik do të përqëndrohet në Lindjen e Mesme. Ndoshta do të përqëndrohet në Ukrainë dhe duket se, duke marrë parasysh deklaratat e saj në të kaluarën, ajo do të jetë shumë kritike ndaj Kinës”, thotë drejtori për OKB-në pranë Grupit Ndërkombëtar të Krizave, Richard Gowan.

Gjatë mandatit të tij të parë, zoti Trump shkurtoi qindra milionë dollarë fonde amerikane për disa agjenci të OKB-së. Kësaj radhe, organizata po bën plane rezervë në pritje të shkurtimeve edhe më të rrepta.

Ndërkohë, Elise Stefanik do ta gjejë veten në një skenë të re, kësaj radhe ndërkombëtare.

XS
SM
MD
LG