Lidhje

Vdes një nga të plagosurit në sulmin në Cetinë - ambasada amerikane dhe intelektualët mbështesin protestat e studentëve


Një nga katër të plagosurit në sulmin e një janarit në Cetinë, vdiq të enjten në Qendrën Klinike të Malit të Zi. Dejan Kokotoviç, është viktima e trembëdhjetë e vrasjes masive të kryer nga Aco Martinoviç.

Më 1 janar, Kokotoviç u transferua në spital ku iu nënshtrua një operacioni urgjent. Më pas mjekët njoftuan se ai kishte një plagë me armë zjarri në kokë dhe ishte në gjendje kritike.

Qendra Klinike tha të enjten se 48 orë më parë Kokotoviç po shfaqte shenja të përmirësimit të lehtë, por gjendja e tij papritur u përkeqësua dhe ai vdiq.

Dymbëdhjetë veta u vranë në sulmin e një janarit që nxiti protesta në Podgoricë dhe Cetinë kundër, siç u tha, mungesës së veprimeve të autoriteteve për ta parandaluar vrasjen e shumëfishtë.

Ambasada amerikane tha të enjten se e “mbështet fuqimisht të drejtën për tubime paqësore, jo të dhunshme dhe lirinë e shprehjes, si vlera themelore të një shoqërie demokratike”.

Ambasada amerikane, vuri në dukje, se qytetarët nuk duhet të vuajnë pasojat për ushtrimin e të drejtës së tyre për tubim paqësor dhe shprehje të mendimit.

“U bëjmë thirrje të gjithë aktorëve politikë, shoqërisë civile dhe mediave që të tregojnë respekt për viktimat e ngjarjeve tragjike në Cetinë dhe familjet e tyre, të përqendrohen në rimëkëmbjen e komunitetit dhe të punojmë së bashku për të mësuar nga kjo tragjedi dhe për të garantuar siguri më të madhe për qytetarët”, thuhet në një reagim të ambasadës amerikane në Podgoricë.

Mbi 100 profesorë të universitetit dhe asistentë mësimdhënës dërguan një letër mbështetjeje për studentët që themeluan grupin joformal studentor "Kamo Sutra" (Kah Nesër).

Ata shprehim mbështetje për organizatën joformale studentore "Kamo śutra" dhe kërkesave të tyre për të sqaruar plotësisht përgjegjësinë për vrasjet masive në Cetinë.

“Është koha e fundit që të gjithë ne të shqetësohemi për sigurinë e qytetarëve në Mal të Zi dhe, si bashkësi shoqërore, të kërkojmë llogari nga drejtuesit e institucioneve shtetërore përgjegjës për sigurinë e qytetarëve”, thuhet në letrën e profesorëve.

Një letër të ngjashme dërguan edhe artistët dhe shkrimtarët nga Mali i Zi, të cilët mbështesin kërkesat e studentëve.

“Me integritetin tonë profesional dhe personal, ne e vendosim veten në mbrojtjen e tyre, sepse studentët janë e ardhmja dhe perspektiva e çdo shoqërie përparimtare. Studentët përbëjnë rrezik dhe kërcënim vetëm për totalitarizmin dhe autokracinë!”, thuhet në reagimin e tyre.

Vrasjet e një janarit paraqesin vrasjen e dytë në masë brenda më pak se tre vitesh në Cetinë, që gjendet 38 kilometra në perëndim të Podgoricës. Në gusht të vitit 2022, një persona i armatosur vrau 10 persona.

Shumë banorë të Malit të Zi janë të zemëruar me ato që i konsiderojnë reforma të ngadalshme të policisë, e cila ka mungesë punonjësish dhe fondesh.

XS
SM
MD
LG