Lidhje

Trump i kërkon Gjykatës së Lartë të bllokojë dënimin për të në çështjen e Nju Jorkut


Presidenti zgjedhur Donald Trump po i kërkon Gjykatës së Lartë të ndalojë shpalljen e dënimit për të nga Gjykata e Nju Jorkut e cila e shpalli fajtor për çështjen e pagesave në këmbim të heshtjes.

Avokatët e zotit Trump iu drejtuan gjykatës më të lartë të vendit të mërkurën pasi gjykatat e Nju Jorkut refuzuan të shtyjnë dhënien e dënimit. Gjykatësi i çështjes Juan M. Merchan, pritet ta shpallë dënimin të premten. Zotin Trump u gjet fajtor për 34 akuza lidhur me falsifikim të të dhënave të biznesit, për të fshehur një pagesë prej 130,000 dollarësh për të blerë heshtjen e aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels pak para zgjedhjeve presidenciale të 2016-ës.

Daniels pretendon se kishte patur një marrëdhënie seksuale me zotin Trump në vitin 2006. Ai e mohon një gjë të tillë.

Avokatët e presidentit të zgjedhur kërkuan ndalimin e menjëhershëm të dhënies së dënimit të premten “për të parandaluar një padrejtësi të rëndë dhe dëm ndaj institucionit të Presidencës, si edhe operacioneve të qeverisë federale”.

Gjykata e Lartë kërkoi një përgjigje nga prokurorët e Nju Jorkut deri të enjten. Gjykatësi Merchan ka lënë të kuptohet se nuk do të japë dënim me burgim, gjobë apo liri me kusht.

Avokatët e zotit Trump kanë përmendur si argument vendimin e mëparshëm të Gjykatës së Lartë, që i jep atij imunitet të gjerë nga ndjekja penale, në përpjekjet për të hedhur poshtë çështjen e Nju Jorkut.

Megjithëse opinioni i Gjykatës së Lartë për imunitetin ishte dhënë për një rast tjetër, avokatët e zotit Trump thonë se kjo do të thotë se disa nga provat e përdorura kundër tij në gjyqin e Nju Jorkut, nuk duhet të ishin marrë parasysh për shkak të imunitetit presidencial.

Gjykatësi Merchan nuk ka rënë dakord me këtë arsyetim.

XS
SM
MD
LG