Lidhje

Përpjekje të reja për të arrestuar presidentin e shkarkuar të Koresë së Jugut


Pjesëtarët e sigurimit kontrollojnë automjetet tek porta e rezidencës së presidentit të shkarkuar të Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, në Seul, më 8 janar, 2025/AFP
Pjesëtarët e sigurimit kontrollojnë automjetet tek porta e rezidencës së presidentit të shkarkuar të Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, në Seul, më 8 janar, 2025/AFP

Zyrtarët dhe ekspertët në Korenë e Jugut po shqyrtojnë strategji të reja për të arrestuar Presidentin e shkarkuar Yoon Suk Yeol pas përpjekjeve të dështuara të javës së kaluar. Hetuesi kryesor u zotua sot se do të bëjë gjithë përpjekjet për ta arrestuar atë, ndërkohë që Presidenti në detyrë Choi Sang-mok u bëri thirrje autoriteteve që të shmangin përplasjet mes agjencive të ndryshme qeveritare. Ekspertët vlerësojnë se për arrestimin e Presidentit Yoon, i cili po qëndron i mbyllur në rezidencën e tij nën mbrojtjen e shërbimit presidencial të sigurisë, nevojiten masa shtesë sigurie.

Përpjekje të reja për të arrestuar presidentin e shkarkuar të Koresë së Jugut
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:42 0:00

Presidenti i shkarkuar i Koresë së Jugut Yoon Suk Yeol po përballet me një përpjekje të reja për ta arrestuar nën akuzat për rebelim, pasi gjykata lëshoi të martën një urdhër të ri për arrestimin e tij.
Avokatët e zotit Yoon po sfidojnë fletë-arrestin, duke thënë se gjykata që e ka lëshuar atë dhe hetuesit e rastit nuk kanë kompetencat për një hetim të tillë.

Përkundër motit me ngrica, protestuesit pro dhe kundër zotit Yoon janë grumbulluar para rezidencës së tij, ndërkohë që presidenti i shkarkuar vazhdon të qëndrojë i mbyllur brenda nën mbrojtjen e shërbimit presidencial të sigurisë, i cili ka vendosur tela me gjemba dhe autobusë për të bllokuar hyrjen e forcave të rendit në rezidencën e tij.

“Presidenti Yoon është zgjedhur nga votuesit e këtij vendi, në mënyrë të drejtë dhe të ndershme dhe ai e meriton tërë mbrojtjen dhe përkrahjen përderisa nuk është shpallur fajtor”, thotë 25 vjeçari Chung Woo-Jae, përkrahës i presidentit të shkarkuar.

Por, kundërshtarët i bënë thirrje atij të dorëzohet.

“Më janë ngrirë gishtat dhe po dridhem nga i ftohti. Njerëzit janë shumë të zemëruar me zotin Yoon. Hetuesit ose duhet ta arrestojnë, ose zoti Yoon duhet të dalë vetë nga rezidenca. Presidenti Yoon, merr vendimin e duhur”, thotë protestuesi Lee Jae-Eun.

Ekspertët thonë se për arrestimin e zotit Yoon, i cili përballet me një hetim penal për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme më 3 dhjetor, duhen masa të shtuara të sigurisë.

“Për këso situata, policia zotërn automjete të blinduara, njësi speciale kundër protestave dhe metoda të ndryshme për të shpërndarë turmat. Mund të përdorë gazin lotsjellës dhe helikopterët për të shpërndarë turmat”, thotë profesori i çështjeve të sigurisë në universitetin ‘Konkuk’, Lee Yung-Hyeock.

Zoti Lee shton se duhet pritur përplasje nëse forcat e rendit hasin në rezistencë nga forcat e sigurimit të presidentit.

“Ndonëse do të preferohej shmangia e përplasjeve fizike, nëse një situatë e tillë është e pashmangshme, atëherë duhet ta parashikojmë dhe të veprojmë në përputhje me të”, thotë ai.

Presidenti në detyrë Choi Sang-mok u bëri thirrje autoriteteve të mërkurën që të bëjnë çmos për të parandaluar përplasjet mes agjencive të ndryshme shtetërore.

Përpjekjet për ta arrestuar Presidentin Yoon javën e kaluar u shndërruan në një ballafaqim të tensionuar për gjashtë orë ndërmjet autoriteteve dhe forcave të sigurisë besnike ndaj presidentit.

Sipas hetuesve, disa nga pjesëtarët e shërbimit presidencial të sigurisë ishin të armatosur dhe disa roje ushtarake ishin të vendosura në hapësirën e rezidencës.

XS
SM
MD
LG