Lidhje

Funerali për ish Presidentin Jimmy Carter zhvendoset në kryeqytetin amerikan


Funerali shtetëror për ish Presidentin Jimmy Carter është zhvendosur në kryeqytetin amerikan pas ceremonive në vendlindjen e tij në shtetin e Xhorxhias.

Arkivoli me trupin e presidentit të 39 të Shteteve të Bashkuara u dërgua me avion të martën nga Qendra Presidenciale Carter në Xhorxhia drejt qytetit të Uashingtonit. Familja Carter dhe trupi i presidentit të ndjerë mbërritën në bazën ajrore ushtarake Andrews në shtetin e Merilendit dhe u shoqëruan me një autokolonë drejt kryeqytetit amerikan. Arkivoli i mbuluar me flamurin amerikan do të vendoset në hollin e Kongresit amerikan.

Jimmy Carter ka qenë i vetmi president amerikan i diplomuar në Akademinë e Marinës së Shteteve të Bashkuara. Ligjvënësit amerikanë do të bëjnë homazhe përpara arkivolit të presidentit të ndjerë në hollin kryesor të ndërtesës së Kongresit. Presidenti që shërbeu një mandat e filloi fushatën politike në vitin 1976 si një individ i panjohur për Uashingtonin.

Zoti Carter lindi në Plains të Xhorxhias në vitin 1924. Ai u diplomua në Akademinë e Marinës amerikane më 1946, duke shërbyer si oficer nëndetëseje para se të kthehej në Plains më 1953 për të drejtuar fermën e familjes pas vdekjes së babait të tij.

Ish-presidenti hyri në politikë gjatë lëvizjes për të drejtat civile të viteve 1960. Ai shërbeu dy mandate si ligjvënës në Xhorxhia para se të bëhej guvernator i shtetit në vitin 1971. Në vitin 1976 ai mposhti republikanin Gerald Ford duke u bërë presidenti i 39 i Shteteve të Bashkuara.

Funerali i presidentit të ndjerë më pas do të kalojë në Katedralen Kombëtare të Uashingtonit. Presidenti Joe Biden do të mbajë një fjalim gjatë ceremonisë kryesore ku janë ftuar të gjithë ish presidentët e Shteteve të Bashkuara.

Më pas, trupi i presidentit të ndjerë do të rikthehet në qytezën Plains, në Xhorxhia për një shërbesë private në Kishën Baptiste Maranatha, ku vetë zoti Carter, një evangjelist i përkushtuar, jepte mësim. Ish Presidenti Carter do të varroset në një ceremoni private pranë shtëpisë.

XS
SM
MD
LG