Lidhje

Dymbëdhjetë të vrarë në një sulm të armatosur në Malin e Zi


Një burrë qëlloi për vdekje 12 persona në një qytet të vogël në Mal të Zi përpara se të vdiste nga plagët që i shkaktoi vetes natën nga e mërkura në të enjte, thanë autoritetet në vendin e vogël ballkanik.

Në një nga vrasjet masive më të rënda, sulmuesi që u identifikua nga policia si 45-vjeçar Aleksandar Aco Martinovic, fillimisht vrau katër persona kur hapi zjarr pas një zënke në një restorant në Cetinje, të mërkurën pasdite.

“Më pas ai qëlloi për vdekje tetë persona, duke përfshirë dy fëmijë, në tre vende të tjera, tha prokurorja Andrijana Nastiç.

Martinoviç u rrethua nga oficerët e policisë pranë shtëpisë së tij në qytet dhe u përpoq të vriste veten. Më pas vdiq nga plagët e tij rrugës për në spital në orët e para të së enjtes, tha ministri i Brendshëm Danilo Sharanoviç.

Ky ishte incidenti i dytë me të shitna masive në tre vjet në qytetin që shtrihet rreth 38 kilometra në perëndim të kryeqytetit Podgoricë. Në vitin 2022, një person i armatosur vrau 10 persona, duke përfshirë dy fëmijë, përpara se të qëllohej për vdekje.

Policia tha se Martinoviç kishte pirë shumë alkool dhe kishte një histori të armëmbajtjes pa leje.

Pas një sherri në restorant ai shkoi në shtëpi, mori një armë, u kthye dhe filloi të qëllonte, tha policia.

Katër persona të tjerë pësuan plagë të rënda dhe njëri mbetet në gjendje kritike, tha Aleksandar Radoviç, drejtor i Qendrës Klinike në Podgoricë.

Presidenti malazez Jakov Milatoviç tha se ishte "i tronditur dhe i shtangur" nga tragjedia. “Në vend të gëzimit të festës...ne jemi kapluar nga trishtimi për humbjen e jetëve të pafajshme,” tha Presidenti Milatoviç në platformën e mediave sociale X.

Kryeministri Milojko Spajiç shkoi në spitalin ku po trajtohen të plagosurit dhe shpalli tri ditë zie. Ai tha se "të gjitha ekipet e policisë" janë në kërkim të të dyshuarit.

“Kjo është një tragjedi e tmerrshme që na ka prekur të gjithëve”, tha Kryeministri Spajiç, i cili theksoi se autoritetet do të shqyrtojnë shtrëngimin e kritereve për mbajtjen e armëve të zjarrit, duke përfshirë mundësinë e një ndalimi të plotë të tyre.

Kjo ka të ngjarë të përballet me kundërshtime në Malin e Zi, vendin e vogël me rreth 620,000 banorë, që është i njohur për kulturën e tij të armëve dhe shumë njerëz tradicionalisht bartin armë.

Pavarësisht ligjeve, Ballkani Perëndimor i përbërë nga Serbia, Mali i Zi, Bosnja, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, mbetet i mbushur me armë. Shumica janë nga luftërat e viteve 1990, por disa madje që nga Lufta e Parë Botërore.

XS
SM
MD
LG