Të paktën 10 persona u vranë dhe 35 të tjerë u plagosën pasi shoferi i një kamioni goditi qëllimisht turmën e njerëzve në zonën e njohur qytetit të Nju Orlinsit, ‘Canal and Bourbon Street’, në orët e para të Vitit të Ri, njoftuan autoritetet e qytetit,
Zyrtarët policorë thanë se shoferi i kamionit goditi qëllimisht njerëzit rreth orës 03: 15 të mëngjesit me orën lokale. “Ky njeri synonte të vriste sa më shumë njerëz të ishte e mundur”, tha drejtoresha e policisë Anne Kirkpatrick. “Qëllimi i tij ishte të kryente vrasje masive”.
Autoritetet thanë se shoferi qëlloi me armë drejt policisë, duke plagosur dy prej tyre, pasi kamioni që drejtonte u përplas.
Autori i dyshuar i ngjarjes u vra pas shkëmbimit të zjarrrit me policinë, tha një zyrtar i zbatimit të ligjit për agjencinë Associated Press, i cili nuk pranoi të identifikohej pasi nuk ishte i autorizuar të jepte publikisht hollësi lidhur me hetimin.
FBI-ja njoftoi se po e heton ngjarjen si një akt terrorist.
Incidenti ndodhi në fund të kremtimeve të Vitit të Ri në Nju Orlins dhe disa orë para fillimit të një ndeshjeje të futbollit në këtë qytet.
Zona ‘Canal and Bourbon Street’ është një destinacionin i njohur për turistët, të cilët tërhiqen nga restorantet e shumta dhe muzika.
Shtëpia e Bardhë njoftoi se Presidenti Joe Biden është informuar mbi ngjarjen.