Lidhje

Bota feston ndërrimin e viteve me fishekzjarre dhe dronë


Në Damask, kryeqytetin e Sirisë banorët shënuan ardhjen e vitit të ri në tregun e Krishtlindjes për herë të parë pas rënies së regjimit prej disa dekadash të Bashar al-Assadit. Në pothuajse të gjitha anët e botës, qytetet e mëdha shënuan ndërrimin e viteve me spektakël fishekzjarrësh dhe dronë, duke ofruar ceremoni të paharrueshme për ata që festuan.

Bota feston ndërrimin e viteve me fishekzjarre dhe dronë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:09 0:00


Pasi qëndruan në sheshin e Nju Jorkut ‘Times Square’ për orë të tëra, mijëra njerëz brohoritën në sekondat e fundit para Vitit të Ri mes të martës më 31 dhjetor dhe të mërkurës më 1 janar. Pika kryesore e ceremonisë në Nju Jork është rënia graduale e një topi gjigand të veshur me kristale, nga maja e ndërtesës 25-katëshe ‘One Times Square’.

“Ne e duam Nju Jorkun, ndjenjën që të jep dhe duam të shohim rënien e topit gjigand”, tha një nga banoret e qytetit.

Londra e priti Vitin e Ri me një shfaqje spektakolare fishekzjarresh mbi lumin ‘Thames’, teksa akrepat e kullës së sahatit ‘Big Ben’ treguan mesnatën.

Dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën nën Portën e Brandenburgut në kryeqytetin e Gjermanisë, Berlin për të nisur vitin e ri 2025.

Deri në 60,000 persona ishin të pranishëm në rrugën e ‘17 Qershorit’, në anën perëndimore të Portës që dikur e ndante qytetin në pjesën lindore dhe atë perëndimore, deri në rënien e Murit të Berlinit në nëntor të vitit 1989.

Mijëra njerëz festuan pritjen e Vitit të Ri në Paris, ndërsa fishekzjarrët ndriçuan qiellin mbi monumentin ‘Harku i Triumfit’.

“Ky vit ka qenë me raste i vështirë, ndonjëherë shumë i gëzueshëm. U mbajt Olimpiada dhe ngjarje të tjera, por kishte raste kur ishte më i vështirë për disa familje. Unë mendoj se sot duhet të mendojmë për të ardhmen”, tha Martine, banore e rajonit të Parisit.

Porti ‘Victoria’ i Hong Kongut ishte i mbushur me energji të martën në mbrëmje, ndërsa mijëra njerëz u mblodhën për të festuar Vitin e Ri, duke ndjekur një spektakël fishekzjarrësh që është bërë një traditë e dashur në qytet.


Në një nga shtatë emiratet që përbëjnë Emiratet e Bashkuara Arabe, qyteti Ras Al-Khaimah përdori dronë dhe fishekzjarre për të shënuar ardhjen e Vitit të Ri.

Katari e priti Vitin e Ri me një dron madhështor dhe shfaqje fishekzjarresh në bulevardin Lusail, në prani të qindra njerëzve.


Njerëzit u mblodhën në një treg Krishtlindjesh në Damask për të festuar Vitin e Ri me fishekzjarre në orët e para të së mërkurës.

Turmat shiheshin duke shëtitur në treg përpara shfaqjes së fishekzjarreve. Disa valëvitën flamuj sirianë dhe e regjistruan ngjarjen në telefonat e tyre.

Sirianët filluan një epokë të re kur luftëtarët rebelë morën kontrollin e Damaskut më 8 dhjetor, duke detyruar ish-presidentin Bashar al-Assad të ikte pas më shumë se 13 vitesh luftë civile dhe duke i dhënë fund sundimit prej dekadash të familjes së tij.

XS
SM
MD
LG