Një raport i zyrës së OKB-së për të Drejtat e Njeriut publikuar të martën dënon sulmet izraelite ndaj spitaleve në Gazë. Në raport thuhet se Israeli ka shkatërruar sistemin shëndetësor të rajonit çka ka ngritur shqetësime serioze në lidhje me pajtueshmërinë e shtetit hebre, me ligjin ndërkombëtar.
Në raportin që dokumenton sulme të ndryshme mes 12 tetorit 2023 dhe 30 qershorit 2024, thuhet se ato kishin prodhuar pasoja të rënda në qasjen e palistenezëve tek kujdesi shëndetësor.
Raporti prej 23 faqesh del në përfundimin se që nga sulmi i Hamasit i 7 tetorit 2023, kundër Izraelit, lufta kishte "shkatërruar" kujdesin shëndetësor të rajonit.
“Shkatërrimi i sistemit të kujdesit shëndetësor në Gazë dhe shkalla e vrasjes së pacientëve, personelit dhe civilëve, është pasojë e drejtpërdrejtë e shpërfilljes së ligjit ndërkombëtar humanitar dhe të të drejtave të njeriut”, thuhet në raport.
Ushtria izraelite nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment mbi raportin.
Gjatë ditëve të fundit Izraeli ka kryer operacione kundër spitaleve në Gazë, veprime që kanë nxitur kritika edhe nga kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
Ushtria izraelite akuzon Hamasin për përdorimin e spitaleve si qendra komanduese për operacionet ushtarake dhe thotë se personat e ndaluar prej saj në këto objekte, dyshohet të kenë qenë militantë.
Por sipas raportit të OKB-së, Izraeli nuk ka bërë publike informacione të mjaftueshme për t'i vërtetuar këto pohime.
Në raport thuhet gjithashtu se orientimi i qëllimshëm i sulmeve ndaj spitaleve dhe objekteve me të sëmurë e të plagosur, kur ato nuk janë objektiva ushtarakë, do të përbënte një krim lufte.
Po kështu paralajmërohet rreth se një modeli sistematik të abuzimit me të drejtat kundër civilëve, që mund të përbëjë siç thuhet, krim kundër njerëzimit.
Izraeli i ka hedhur poshtë në mënyrë të vazhduar pohime të tilla.