Mali i Zi ekstradoi të martën në Shtetet e Bashkuara bashkëthemeluesin e Terraform Labs, Do Kwon, që do të përballet me akuzat se ka mashtruar investitorët në lidhje me qëndrueshmërinë e kriptomonedhës TerraUSD.
Kwon i cili mohon të ketë kryer çfarëdo keqbërjeje, iu dorëzua oficerëve amerikanë të zbatimit të ligjit dhe agjentëve të Byrosë Federale të Hetimeve (FBI) në aeroportin e Podgoricës, tha në një deklaratë ministria e Brendshme e Malit të Zi.
Do Kwon, shtetas i Koresë së Jugut, është ish-drejtues ekzekutiv i kompanisë ‘Terraform Labs’, me seli në Korenë e Jugut, e cila qëndron pas ‘TerraUSD’, një kriptomonedhë që ishte parashikuar të mbante një çmim konstant në treg prej 1 dollarësh. Falimentimi i saj në maj të vitit 2022, tronditi tregjet e kriptomonedhave.
Kwon i cili u arrestua në mars të vitit 2023 teksa po përpiqej të largohej nga Mali i Zi, kërkohet edhe nga Koreja e Jugut.
Javën e kaluar, ministri malazez i Drejtësisë Bojan Bozhoviç urdhëroi ekstradimin e tij në Shtetet e Bashkuara, pasi Gjykata e Lartë vendosi se janë përmbushur të gjitha kushtet ligjore.
Ministria e Drejtësisë tha se kishte arritur në përfundimin se shumica e kritereve ligjore favorizonin kërkesën e SHBA-së për ekstradim. Avokatët thanë se e kanë apeluar vendimin e ministrit Bozhoviç në Gjykatën Kushtetuese.
Kwon dhe kompania e tij ‘Terraform Labs’ janë paditur nga Komisioni Amerikan i Letrave me Vlerë në shkurt të vitit 2023 lidhur me kriptomodhenat ‘TerraUSD’ dhe ‘Luna’, për të cilat autoritetet thanë se kanë shkaktuar rreth 40 miliardë dollarë humbje në tregjet e kriptomonedhave.