Prokurori publik i Serbisë akuzoi të hënën 13 persona, përfshirë një ish-ministër, për shembjen e një çatie betoni në një stacion treni që vrau 15 veta muajin e kaluar dhe nxiti protesta masive antiqeveritare.
Ata akuzohen për kryerjen e një vepre të rëndë penale kundër sigurisë publike dhe kryerjen e parregullt të punëve ndërtimore. Akuzat u ngritën në qytetin e Novi Sadit, ku ndodhi shembja me 1 nëntor. Nëse shpallen fajtorë, të akuzuarit mund të përballen me dënime deri në 12 vjet heqje lirie.
Çatia e madhe prej betoni ishte pjesë e një stacioni hekurudhor, që u rinovua dy herë në vitet e fundit si pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë të infrastrukturës me kompanitë kineze. Shumë veta në Serbi besojnë se punimet në stacion ishin të dobëta për shkak të korrupsionit të shfrenuar dhe kjo shkaktoi rrëzimin e çatisë.
Kryeministri i Serbisë Millosh Vuçeviç tha se aktakuza "konfirmon se askush nuk ka qëllim të fshehë apo të pengojë ndonjë gjë".
Kritikët, megjithatë, thanë se akuzat ishin të mangëta sepse nuk përfshinin një hetim financiar për korrupsionin e dyshuar.
"Unë mendoj se (akuza) është një lojë ligjore dhe një përpjekje për të na hedhur hi syve”, tha politikani i opozitës Borislav Novakoviç. “Aty nuk përmendet korrupsioni që në fakt është në mendjen e të të gjithëve...”, shtoi ai.
Zemërimi në shkallë të gjerë pas incidentit nxiti protesta pothuajse të përditshme kundër presidentit populist Aleksandar Vuçiç dhe qeverisë së tij.
Protestat në rrugë, të udhëhequra nga studentët e universitetit, u zhvilluan të hënën në Novi Sad dhe u raportuan përleshje me policinë. Gjithashtu, në Beograd, qindra veta bllokuan trafikun dhe qëndruan në heshtje për 15 minuta në orën 11:52 për të përkujtuar kohën e saktë të shembjes dhe në nderim të viktimave. Fillimisht shembja e çatisë la pas vetes 14 të vdekur dhe tre të plagosur. Një nga të plagosurit vdiq më vonë në spital.
Studentët planifikojnë protesta të ngjashme në natën e Vitit të Ri në të dy qytetet.
Protestat e vazhdueshme të kohëve të fundit dhe një grevë e studentëve të universiteteve në Serbi kanë sfiduar pushtetin e Presidentit Vuçiç, i cili kërkon zyrtarisht anëtarësimin në Bashkimin Evropian për kombin e tij, por është përballur me akuza për shkelje të lirive demokratike në vend.