Lidhje

Azerbajxhan, avioni u rrëzua për shkak të “një objekti të jashtëm”


Mbetjet e aeroplanit të rrëzuar të kompanisë "Azerbaijan Airlines" në afërsi të qytetit Aktau, Kazakistan, më 25 dhjetor, 2024/Reuters
Mbetjet e aeroplanit të rrëzuar të kompanisë "Azerbaijan Airlines" në afërsi të qytetit Aktau, Kazakistan, më 25 dhjetor, 2024/Reuters

Kompania ajrore e Azerbajxhanit njoftoi sot se përfundimet paraprake tregojnë se avioni i saj u rrëzua si pasojë e “një objekti të jashtëm fizik dhe teknik”, ndërkohë që burimet në dijeni të rezultateve të hetimeve, thanë se avioni u godit nga sistemet mbrojtëse ajrore të Rusisë.

Azerbajxhan, avioni u rrëzua për shkak të “një objekti të jashtëm”
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:54 0:00

Shtëpia e Bardhë njoftoi të premten se ka informacione paraprake që sugjerojnë se aeroplani i “Azerbaijan Airlines” me sa duket se u rrëzua për shkak të goditjes nga sistemet ruse të mbrojtjes ajrore. Zyrtarët amerikanë thanë se Uashingtoni ofroi ndihmë me hetimet.

“Kemi parë disa të dhëna paraprake që lënë të kuptohet se ky aeroplan mund të jetë rrëzuar nga sistemet mbrojtëse ajrore ruse”, deklaroi zëdhënësi për sigurinë kombëtare, John Kirby.

Ai tha se hetimet, në të cilat janë të angazhuar Kazakistani dhe Azerbajxhani, po vazhdojnë.

“Ne kemi ofruar ndihmën tonë në hetime, nëse u nevojitet”, deklaroi zëdhënësi Kirby.

Zyrtarët rusë thanë se avioni ndryshoi drejtim për shkak të mjegullës dhe pas paralajmërimit për aktivitetin e një droni ukrainas në atë zonë. Ekspertët gjithashtu fajësuan sistemet mbrojtëse ajrore ruse për rrëzimin e avionit që shkaktoi vdekjen e 38 personave dhe lëndimin e 29 të mbijetuarve.

Dy udhëtarë të këtij aeroplani, që i mbijetuan rrëzimit, thanë ata dëgjuan të paktën një krismë të zhurmshme ndërkohë që avioni po i afrohej Groznit, në pjesën jugore të Rusisë.

“Pas kësaj krisme, më dukej që aeroplani do të copëtohej. Ishte e qartë që aeroplani ishte dëmtuar... Nuk dukej njësoj”, tha i mbijetuari Subhonkul Rakhimov nga spitali.

Pamjet e regjistruara në avion para rrëzimit tregojnë maskat e varura të oksigjenit dhe udhëtarët e veshur me jelekë. Pas rrëzimit të tij, në video-regjistrime shihen udhëtarët e lënduar teksa dalin nga aeroplani.

Rrëzimi i aeroplanit hodhi dritë mbi rreziqet ndaj avionëve civilë edhe atëherë kur fluturojnë qindra kilometra larg një zone lufte, veçanërisht kur luftohet me drone.

Avioni i kompanisë ‘Azerbaijan Airlines’ po fluturonte nga kryeqyteti Baku drejt Groznit të mërkurën, kur ndryshoi drejtim për shkaqe ende të panjohura dhe u përplas ndërkohë që po përpiqej të ulej në Aktau të Kazakistanit pasi që kishte fluturuar mbi pjesën lindore të Detit Kaspik.

Agjencia ruse për mbikëqyrjen e aviacionit tha të premten se aeroplani, që u rrëzua në Kazakistan të mërkurën, vendosi të ndryshonte drejtimin e planifikuar për shkak të mjegullës dhe paralajmërimeve nga autoritetet vendase për aktivitetet të dronëve ukrainas në atë zonë.

“Është e domosdoshme të identifikohen të gjitha rrethanat e këtij incidenti. Situata përreth aeroportit të Groznit atë ditë dhe gjatë atyre orëve ishte mjaft e vështirë. Dronët luftarakë të Ukrainës po kryenin sulme terroriste ndaj infrastrukturës civile në Grozni dhe Vladikavkaz... Po ashtu, kishte mjegull të dendur në afërsi të aeroportit të Groznit”, tha drejtuesi i Agjencisë ruse për transportin ajror, Dmitry Yadrov.

Ekspertët e aviacionit vlerësojnë se aeroplani i kompanisë ajrore të Azebajxhanit që u përplas në Kazakistan ka shumë gjasa të jetë rrëzuar pasi është goditur nga sistemet ruse të mbrojtjes ajrore. Sipas tyre vrimat në pjesën e pasme të avionit janë shenjë se ai mund të jetë goditur nga sistemet mbrojtëse ajrore të Rusisë, që po përpiqeshin të parandalonin sulmin e një droni ukrainas.

“Gjasat janë të mëdha që përfundimi që ka nxjerrë qeveria e Azerbajxhanit të jetë i saktë, që sistemi mbrojtës ajror rus ka gabuar në identifikimin e avionit ngaqë ai ka ndryshuar drejtim dhe se ka reaguar me sistemin e mbrojtjes ajrore për shkak të sulmeve të dronëve ukrainas nga ky drejtim. Ka mundësi që ata e ngatërruan aeroplanin e udhëtarëve me një dron ukrainas dhe reaguan me sistemet e mbrojtjes ajrore”, thotë ekspertja e Rusisë, Ann Marie Dailey nga ‘Rand Corporation’.

Kompania ajrore e Azerbajxhanit pezulloi të premten fluturimet për në 7 qytete ruse, ndonëse do të vazhdojë fluturimet drejt gjashtë qyteteve kryesore të Rusisë.

Aktualisht, hetimet po udhëhiqen nga Kazakistani. Kutia e zezë e aeroplanit, që përmban të dhënat e fluturimit, të cila mund të përcaktojnë shkakun e rrëzimit, është gjetur, sipas agjencisë së lajmeve Interfax.

Qeveritë e vendeve të udhëtarëve dhe ekuipazhit të avionit nga Azerbajxhani, Kazakistani, Rusia dhe Kirgistani, si dhe Brazili, ku është prodhuar avioni, pritet të angazhohen në hetime. Edhe Shtetet e Bashkuara, ku është prodhuar motori i aeroplanit, mund të përfshihen.

Sipas rregullave ndërkombëtare, një raport paraprak me gjetjet duhet të publikohet brenda 30 ditësh dhe një raport përfundimtar brenda 12 muajsh.

XS
SM
MD
LG