Lidhje

Kosovë: Konfirmohet rasti i parë i infektimit me linë e majmunëve


Instituti Kombëtar i Shëndetësisë të Publike të Kosovës tha të premten se është konfirmuar rasti i parë i një të prekuri me Mpox, apo siç njihet gjerësisht, linë e majmunëve.

Në një njoftim të këtij instituti thuhet se “i infektuari me këtë virus është një shtetas i Kosovës i moshës 30-vjeçare. Ai po trajtohet në Klinikën Infektive në Prishtinë që nga 24 dhjetori, pasi ishte kthyer nga Afrika Perëndimore dhe kishte simptoma sikurse temperaturë, ethe, ndryshime në lëkurë, në fytyrë në duar dhe kruarje”.

Sipas institutit, pacienti është në gjendje të qëndrueshme shëndetësore.

Instituti, thuhet më tej, “i ka gjurmuar të gjitha kontaktet e deklaruara të personit të infektuar dhe të familjarëve të tij, të cilëve u janë dhënë rekomandimet për masat e parandalimit dhe të kontrollit të infeksionit”.

Lija e majmunit është një infeksion viral që shkakton puçrra me qelb dhe ka simptoma të ngjashme me gripin. Infeksioni zakonisht është i lehtë, por mund të shkaktojë edhe vdekjen.

Sëmundja transmetohet përmes kontaktit të ngushtë fizik, përfshirë marrëdhëniet seksuale. Megjithatë, ndryshe nga pandemitë e mëparshme globale si ajo e COVID-it, nuk ka asnjë provë që lija e majmunit përhapet lehtësisht përmes ajrit.

Edhe pse duhet syçeltësi, “nuk ka vend për panik”, thuhet në njoftimin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.

XS
SM
MD
LG