Lidhje

Kosovë, aktakuzë në mungesë ndaj një pjesëtari të komunitetit serb për krime lufte


Prokuroria e Posaçme e Kosovës ngriti të hënën aktakuzë kundër një pjesëtari të komunitetit serb nën dyshimet për krime lufte kundër popullsisë civile, gjatë luftës së viteve 1998-1999.

Në një njoftim të prokurorisë thuhet se i dyshuari, që u identifikua me inicialet V.N, akuzohet se “duke vepruar në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare, duke kryer vrasjen e dy viktimave M.A dhe SH.A, si dhe plagosjen e të dëmtuarit SH.S”.

Sipas aktakuzës, veprat penale janë kryer në qytetin e Suharekës, mbi 40 kilometra larg Prishtinës.

“Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës që të mbaj gjykimin në mungesë për shkak se i pandehuri V.N është i pa arritshëm për organet e drejtësisë, kurse janë plotësuar kushtet ligjore për ngritjen e aktakuzës në mungesë", thuhet në njoftim.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, përgjegjësinë për ndjekjen e krimeve të luftës e kishte fillimisht Misioni i Kombeve të Bashkuara, e më pas misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e Ligjit. Diku nga fillimi i vitit 2016 Prokuroria e Posaçme e Kosovës nisi marrjen përsipër të lëndëve.

Veprimtarët në vazhdimësi kanë tërhequr vërejtjen se numri i ultë i prokurorëve e gjykatësve dhe mungesa e bashkëpunimit nga Serbia janë dy ndër sfidat më të mëdha në ndjekjen e krimeve të luftës.

Kodi i ri penal i Kosovës, që ka hyrë në fuqi në vitin 2019, mundësoi edhe fillimin e proceseve të para të gjykimeve në mungesë.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha sot se trajtimi i krimeve të luftës është një nga përparësitë e qeverisë së Kosovës, ndërsa theksoi se gjykimi në mungesë mundëson ndjekjen penale të atyre që përpiqen t’i shmangen drejtësisë.

“Tashmë janë 67 aktakuza të ngritura në 62 raste ndaj 174 personave nga të cilat dhjetë raste janë duke u gjykuar në mungesë dhe pritet që ky numër të rritet në vazhdimësi. Pra duke pasur parasysh që Serbia nuk i dorëzon kriminelët e luftës dhe as ata që kryejnë sulme terroriste në kohë të paqes, ka qenë jashtëzakonisht e rëndësishme që të adresohet gjykimi në mungesë për krimet e luftës”, tha ajo.

Përballja me të kaluarën, tha zonja Haxhiu, është e domosdoshme për të ndërtuar një të ardhme të drejtë dhe të qëndrueshme.

“Ne jemi këtu për të treguar se Republika e Kosovës nuk do të dorëzohet kurrë përballë mohimit, manipulimeve apo përpjekjeve për të zbehur të vërtetën. Drejtësia natyrisht që do të triumfojë dhe Kosova do të ecë përpara si shtet i lirë, Sovran dhe i pandalshëm”, tha ajo.

Sipas të dhënave nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë që nga përfundimi i luftës deri tash nga institucionet vendëse e ndërkombëtare për krime lufte janë dënuar mbi 70 persona.

Mbi 10 mijë veta u vranë dhe mbi 5 mijë llogariteshin të zhdukur në fund të luftës në Kosovë e cila mori fund me ndërhyrjen e forcave të NATO-s, që u dhanë fund mizorive të forcave serbe.

Nëntë vjet pas luftës Kosova shpalli pavarësinë e saj në shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore euro-perëndimore, ndërsa kundërshtohet nga Beogradi i mbështetur nga Moska.

XS
SM
MD
LG