Një klinikë në Britani të Madhe ka filluar të bëjë klonimin e kafshëve shtëpiake duke u dhënë njerëzve mundësinë të kenë sërish kafshët e tyre të preferuara shtëpiake. Por ndërsa laboratori britanik mund të mbledhë mostra të ADN-së, procesi shkencor i klonimit duhet të bëhet në Shtetet e Bashkuara.
Tom Rybthon i do shumë qentë e tij. Myrtle dhe Mabel janë më ndryshe se qentë e tjerë. Të dy janë klonë gjenetikë të qenit të mëparshëm të tij, Daisy.
Ata janë krijuar në një laborator koreano jugor me koston prej 48 mijë eurosh, secili.
“Gruaja ime mendonte se jam i çmendur. Nuk i kam treguar për klonimin derisa erdhën në shtëpi. I shita të dy automjetet e llojit Mercedes për të siguruar paratë, i shkëmbeva për qentë, pasi ata janë më të rëndësishëm, thotë zoti Rybthon.
Por ai nuk ka nevojë më të udhëtojë aq larg për t’i klonuar miqtë e tij me katër këmbë.
Laboratori “Gemini Genetics” ofron tashmë këtë mundësi në Britani.
“Pas ngordhjes së kafshës shtëpiake keni pesë ditë kohë për të siguruar ADN-në për klonim. Për të klonuar një kafshë na duhen 6 milimetra lëkurë të kafshës”, thotë Lucy Morgan nga laboratori “Gemini Genetics”.
Mostra mbahet e ngrirë në temperaturë -196 gradë celcius.
Procesi i klonimit, për arsye ligjore, megjithatë duhet të bëhet përtej oqeanit.
Procesi zhvillohet në këtë mënyrë: shkencëtarët e vendosin qelizën e kafshës së ngordhur në një vezë që është dhuruar për shumëzim. Një impuls elektrik bën që materiali gjenetik të shumëzohet dhe të kthehet në embrion.
Më pas embrioni vendoset në trupin e një kafshe tjetër femër. Megjithatë, kafsha e klonuar ka mundësi të mos jetë tërësisht i ngjashëm me kafshën e ngordhur.
“Kafsha e klonuar e ka ADN-në identike me origjinalin. Por, mjedisi mund të ndikojë në çdo qënie të gjallë. Kafsha e klonuar mund të ketë shumë karakteristika të ngjashme, por arritja e një ngjashmërie të plotë ka nevojë për një mjedis të ngjashëm”, sqaron më tej zonja Morgan.
Kafsha e parë e klonuar ishte delja Dolly, e krijuar në vitin 1996 nga shkencëtarët në Edinburg të Skocisë.
Britania më pas e ndaloi klonimin për të shmangur mundësinë që procesi të shfrytëzohet për njerëzit.
Por, vende të tjera e shfrytëzojnë teknologjinë e klonimit, gjë që është Veçanërisht e njohur për klonimin e kuajve të sportit.
Kali ‘Murka's Gem’ është kloni i një prej kuajve më të famshëm në botë nga sportet më këtë kafshë të njohur si ‘Gem’s Twist’. Një mostër e spermës së tij shitet 1200 euro.
Laboratori ‘Gemini Genetics’ thotë se çdo shqetësim mbi etikën e klonimit është i pabazuar.
“E di që ka njerëz që mendojnë ndryshe për këtë teknologji. Njerëzit përdorin metodat ‘in vitro’ për të patur një fëmijë. Klonimi është vetëm një formë tjetër e riprodhimit me ndihmën e in vitros”, thotë zonja Morgan.
Laboratori ruan mijëra mostra të ADN-së të kafshëve shtëpiake. Rreth 200 janë klonuar deri më tani.
Pavarësisht se është një proces i shtrenjtë, njerëz si Tom Rubython besojnë se ia vlen çdo qindarkë.
“Kur mbani qen, ju i doni ata. Por kur njëri prej tyre bëhet i veçantë për ty, kjo është arsyeja që ju shtyn ta klononi. Ata nuk e zëvendësojnë qenin, por janë thjesht i njëjti lloj që ju e dini se ju pëlqen, kështu që ti ndërton të njëjtën marrëdhënie me ta”, thotë ai.
Qentë Myrtle dhe Mabel jetojnë falë shkencës dhe kodit gjenetik të qenit të ngordhur më parë, Daisy-t.