Elon Musk, aleati miliarder i Presidentit të zgjedhur Donald Trump, shprehu vlerësimin për partinë e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë. Komentet e tij vijnë para zgjedhjeve në vendin evropian në fillim të vitit të ardhshëm. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, partia gjermane AfD dëshiron t’i japë fund mbështetjes perëndimore për Ukrainën në luftën e saj kundër agresorit rus.
Sondazhet në Gjermani tregojnë se partia Alternativa për Gjermaninë radhitet në vend të dytë në prag të zgjedhjeve të 23 shkurtit. Kjo forcë politike dëshiron të dalë nga Bashkimi Evropian dhe t’i japë fund mbështetjes për Ukrainën.
Hetuesit federalë e kanë etiketuar atë si një organizatë të dyshuar të së djathtës ekstreme, çka hidhet poshtë nga AfD-ja.
Të premten, miliarderi amerikan Elon Musk dhe aleat i Presidentit të zgjedhur Donald Trump, shkroi në rrjetin X se: “vetëm AfD-ja mund ta shpëtojë Gjermaninë”. Udhëheqësja e AfD-së, Alice Weidel, reagoi.
“I dashur Elon. Faleminderit shumë për komentin tuaj. Alternativa për Gjermaninë, AfD, është me të vërtetë alternativa e vetme për vendin tonë – alternativa jonë e fundit, nëse më pyet mua”.
Komentet e zotit Musk vijnë disa ditë pasi ai u takua me ligjvënësin britanik, Nigel Farage, për të diskutuar mbështetjen financiare për partinë populiste të politikanit anglez.
Disa ligjvënës gjermanë e kritikuan shprehjen e mbështetjes së miliarderit amerikan për AfD-në. Kancelari gjerman, Olaf Scholz tha të premten se shprehja e opinioneve është pjesë e demokracisë.
"Liria e fjalës vlen edhe për multi-miliarderët. Liria e fjalës të mundëson gjithashtu që të thuash gjëra që nuk janë të drejta dhe që nuk përmbajnë këshilla të mira politike”, tha zoti Scholz.
Partitë kryesore gjermane e kanë përjashtuar mundësinë e koalicionit me AfD-në. Por partia e ekstremit të djathtë e ka ndryshuar debatin për Ukrainën, thotë analist Mattia Nelles.
“Në kuptimin që partitë kryesore janë më pak të gatshme ose në gjendje që të flasin në favor të më shumë ndihmave për Ukrainën, duke qenë se AfD po bën fushatë kundër”.
Gjermania i ka dhënë Ukrainës armatime që kapin vlerën e rreth 11 miliardë dollarëve që nga fillimi i agresionit rus në vitin 2022. Trysnia ekonomike ka bërë që shpenzimet qeveritare të jenë një pikë e rëndësishme e fushatave elektorale.
Partia Social Demokrate e Kancelarit Scholz kërkon të rrisë tavanin e borxheve qeveritare, pjesërisht për të financuar ndihmat për Ukrainën.
Kristian Demokratët nën udhëheqjen e zotit Friedrich Merz, të cilët kryesojnë anketat, janë kundër huamarrjes së qeverisë.
“Nuk do ta përqendroj politikën ekonomike të vendit tonë tek borxhi i ri, taksat e larta dhe më shumë rishpërndarje”.
Në Evropë ekziston frika se Presidenti i zgjedhur Trump do t'i japë fund mbështetjes amerikane për Kievin.
“Duke patur parasysh rikthimin e Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, do të duhet një udhëheqje dhe financa më të fuqishme nga Gjermania. Pa marrë borxhe, druhem se kjo nuk do të jetë e mundur”.
Zoti Trump ka kërkuar vazhdimisht që aleatët e NATO-s të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen. Ndërsa buxheti i qeverisë ndodhet nën trysni, analistët thonë se udhëheqësi i ardhshëm i Gjermanisë do të përballet me sfida të vështira si brenda ashtu edhe jashtë vendit.