Komisioni i Etikës i Dhomës së Përfaqësuesve së Shteteve të Bashkuara ka votuar në mënyrë jo të bujshme në favor të publikimit të raportit të tij për ish-ligjvënësin republikan Matt Gaetz, njoftuan disa media amerikane të mërkurën duke iu referuar burimeve.
Sipas njoftimeve, përfundimet e komisionit mund të bëhen publike brenda disa ditësh.
Vendimi nga komisioni dypartiak u mor në fillim të këtij muaji, sipas një personi me dijeni për votimin, i cili nuk ishte i autorizuar të diskutonte publikisht këtë çështje dhe foli në kushte anonimiteti të mërkurën për agjencinë Associated Press. CNN njoftoi së pari për votimin.
Hetimi i komisionit kishte në qendër akuzat kundër zotit Gaetz për sjellje të pahijshme seksuale me një vajzë adoleshente dhe përdorim droge.
Zoti Gaetz dha dorëheqjen nga Kongresi në nëntor pasi Presidenti i zgjedhur Donald Trump e emëroi për postin e Prokurorit të Përgjithshëm, një post i barazvlefshëm me atë të Ministrit të Drejtësisë.
Zoti Gaetz më pas u tërhoq nga emërimi.
Vetë zoti Gaetz reagoi ashpër në mediat sociale, duke mohuar përsëri çdo keqbërje. Ai kritikoi komisionin për votimin pas ai u largua nga Kongresi, duke thënë se kjo do të thotë se ai "nuk do të ketë mundësi të debatojë apo të kundërshtojë si ish-ligjvënës".
Ai pranoi se sjelljet e tij të dikurshme ishin “të turpshme, megjithëse jo kriminale” duke shtuar se tani "bën një jetë të ndryshme”.
Në fillim të këtij muaji, Dhoma e Përfaqësuesve me shumicë republikane bllokoi një përpjekje për të përshpejtuar publikimin e raportit pasi Komisioni i Etikës nuk arriti të dilte me një vendim për ta bërë ose jo publik të tij.
Zoti Gaetz ka thënë se nuk do të kthehet për të shërbyer mandatin e tij në sesionin e ardhshëm të Kongresit që do të mblidhet në janar. Republikani nga Florida do të jetë drejtuesi i një emisioni në rrjetin televiziv konservator One America News Network, sipas këtij rrjeti.