Lidhje

Tiranë, shoqëria civile nis dialogun mbi Agjendën e Reformës së përgatitur nga qeveria


Tryeza për Agjendën e Reformës dhe Planin e Rritjes
Tryeza për Agjendën e Reformës dhe Planin e Rritjes

Në Tiranë, përfaqësues të shoqërisë civile nisën sot një seri diskutimesh mbi Agjendën e Reformave, që Shqipëria paraqet në Bashkimin Europian për të përfituar nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Ekspertët në këtë tubim theksuan se nevoja për këtë dialog dhe monitorim mbi Agjendën e Reformave lindi prej transparencës së mangët nga ana e qeverisë në hartimin e këtij dokumenti.

Plani i Rritjes që BE-ja ofroi për Ballkanin Perëndimor bashkë me 6 miliardë euro ka nxitur qeveritë për të hartuar Agjendën e Reformave, që duhen kryer për të përfituar sa më shumë prej tij.

Por ekspertë të pavarur dhe përfaqësues të shoqërisë civile pohuan se në Shqipëri kjo agjendë u hartua me shpejtësi, me një transparencë të cunguar dhe pa dëgjuar aktorë joshtetërorë, që kanë një rol me rëndësi në këtë proces.

Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, si nismëtar i këtij dialogu, theksoi se Agjenda e Reformës u miratua me vendim të këshillit të ministrave më 10 tetor dhe u publikua në Fletoren Zyrtare në fund të nëntorit, e fundit në rajon, ndërsa masat e para duhet të ndërmerren këtë dhjetor, pra gjithçka po ecën me shpejtësi dhe pa transparencën e nevojshme.

“Shpresojmë shumë dhe i bëjmë thirrje qeverisë dhe aktorëve të tjerë politikë që të jenë transparentë në këtë çështje dhe sa më gjithëpërfshirës. Proceset zhvillimore të vendit duhen menduar në një vizion më afatgjatë dhe ne nuk mund të vazhdojmë të zbatojmë masa të cilat nuk na lënë të ngremë kokën dhe ta shtrijmë shikimin pak më larg”, tha Gjergj Vurmo, përfaqësues i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim.

Agjenda e Reformave ka 5 shtylla kryesore: mjedisi i biznesit, kapitali njerëzor, digjitalizimi, tranzicioni i gjelbër dhe energjia, si dhe sundimi i ligjit dhe antikorrupsioni.

Ekspertët e e shoqërisë civile pohuan se masat e parashikuara në secilën prej këtyre shtyllave burojnë prej dokumentave të tjerë strategjikë të vendit, por janë përfshirë edhe masa të reja në fusha ku mungon përparimi, megjithatë konsultimet formale, ku nuk dëgjohet shoqëria civile si dhe nxitimi me këto dokumenta nuk sjell ndonjë përfitim.

“Ne vërejmë me shqetësim presionin e shpejtësisë. Integrimi i përshpejtuar do të ketë përfitimet e veta për shoqërinë shqiptare, por presioni i shtuar për t’i bërë gjërat shpejt, shpejt se i kërkon Brukseli mund të cënojnë cilësinë e procesit”, tha Blerjana Bino, përfaqësuese e Qendrës studimore SCIDEV.

Një draft i Agjendës u publikua në qershor dhe qëndroi i hapur rreth një muaj për komente, por konsultimet u kryen formalisht pa u shqyrtuar në detaje, pohojnë ekspertët.

Rol parësor në hartimin e agjendave kanë kryer ministritë me 72 takime në 4 muaj, por Kuvendi ka patur një rol të kufizuar jokonsultues me vetëm një mbledhje informuese, ndonëse ka një këshill kombëtar të integrimit europian, ndërsa kryetarja e tij Jorida Tabaku tha se mbeti e painformuar nga zyrtarët për një kohë të gjatë mbi dokumentat dhe ecurinë e këtij procesi, i cili detyrimisht kërkon dialog dhe gjithëpërfshirje.

“Vet dokumenti për të cilin po flasim sot, pra Agjenda e Reformës së qeverisë dhe Plani i Rritjes na është dashur një luftë shumë e madhe tremujore për të pasur mundësinë për ta lexuar atë, e jo më për t’u përfshirë në hartimin e dokumentit dhe për të patur një diskutim të hapur”, tha zonja Tabaku.

Organizatat e shoqërisë civile në Shqipëri dhe Ballkanin Perëndimor pritet që të angazhohen më fort në zbatimin e Agjendës së Reformës, e cila do të monitorohet hap pas hapi, krahas dialogut shumëpalësh mbi përparimin e arritur.

Ekspertë të pavarur të mjedisit dhe ekonomisë pohuan në tubim se masat e reja që parashikon qeveria nevojitet të mbështeten në matje të reja të treguesve në terren dhe në sektorin privat, i cili duhet mbështetur që të ndryshojë teknologjinë për t’u fuqizuar.

“Procese kaq ambicioze me implikime shumë serioze për segmente të gjera të shoqërisë duhet të jenë “research based”, pra të bazuar në kërkime shkencore, duhet të jenë të peshuara, të analizuara mirë, në mënyrë që zotimet dhe angazhimet e qeverisë të jenë të mirëpeshuara dhe objektive, që të mos përfundojmë si përherë që Shqipëria del se ka plotësuar 5 për qind të angazhimeve, 75 për qind të bëra në mënyrë mediokër, dhe pjesa e mbetur e parealizuar”, tha eksperti i njohur i ekonomisë, Selami Xhepa.

Plani i Rritjes që BE-ja shpalli për Ballkanin Perëndimor synon të nxitë reformat e brendshme edhe në Shqipëri dhe të shpejtojë anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Rrugëtimi i saj drejt BE-së përmes Planit të Rritjes parashikon përmbushjen e një agjende reformash gjithëpërfshirëse dhe me ambicje për zhvillim në ekonomi, siguri, liri të njeriut dhe të medias, antikrim e antikorrupsion, ku kanë rolin e vet për të luajtur edhe organizatat e shoqërisë civile.

XS
SM
MD
LG