Lidhje

Estonezët të shqetësuar për të ardhmen e Ukrainës dhe rajonit


Premtimi i presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump për t'i dhënë fund shpejt luftës në Ukrainë, po shkakton shqetësime tek fqinjët e Rusisë. Siç njofton nga kufiri i Estonisë me Rusinë korrespondenti i Zërit të Amerikës Ricardo Marquina, në Estoni disa kanë frikë se një marrëveshje për t'i dhënë fund luftës mund të forcojë Moskën.

Estonezët të shqetësuar për të ardhmen e Ukrainës dhe rajonit
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:18 0:00


Oficerët e ushtrive estoneze, britanike dhe franceze vrojtojnë kufirin me Rusinë nga rajoni estonez i Narvës, shenjë e një konfrontimi të heshtur që të kujton një kohë të kaluar.

Më pak të heshtura janë manovrat që këta tre anëtarë të NATO-s po kryejnë në Estoni dhe që synojnë përgatitjen për ndonjë ndërhyrje të mundshme tokësore nga forcat e Moskës.

"Kjo është toka e estonezëve, është territori i tyre, ata duhet ta dinë se ne do të luftojmë për ta kudo që të kenë nevojë në tokën e tyre", thotë për Zërin e Amerikës, Major Chris Pyman i ushtrisë britanike.

Estonia ka qenë një mbështetëse e vendosur e Ukrainës dhe ka shqetësimet e veta për synimet e Rusisë. Këto shqetësime janë rritur pas njoftimeve që citojnë këshilltarët e presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, të kenë thënë privatisht dhe publikisht se po shqyrtojnë plane që përfshijnë paqen në këmbim të lëshimeve territoriale në Ukrainë.

Ekipi i Presidentit të zgjedhur Trump është distancuar nga këto pretendime. Megjithatë, njoftimet kanë ngjallur shqetësim tek zyrtarët estonezë.

“Nga perspektiva jonë, pa dyshim nëse Ukraina nuk mund të hyjë në negociata nga një pozicion force dhe Rusia është në gjendje të fitojë territor, kjo do të vendosë një precedent shumë të keq në aspektin e sigurisë evropiane dhe do të inkurajojë më tej Moskën të ndërmarrë hapa të tjerë në Evropë për të sfiduar NATO-n", thotë për Zërin e Amerikës Liis Mure, këshilltare e mbrojtjes në ambasadën e Estonisë në Uashington, gjatë një vizite në vendin e saj.

Estonia është një kontribuese kryesore në NATO, duke shpenzuar 3.43 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto në aleancë dhe udhëheqësit e saj e mbështesin kërkesën e Presidentit të zgjedhur Trump që anëtarët e NATO-s të rrisin kontributet e tyre.

Në rrugët e Talinit, premtimet e zotit Trump për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë shkaktojnë reagime të ndryshme.

“Kam dëgjuar se mund të shkurtojnë disa nga fondet që shkojnë në Ukrainë, gjë që është vërtet shqetësuese", thotë studentja Mariana Nogma.

“Shpresoj që ai ta ndalë luftën dhe marrëdhëniet mes vendeve tona të përmirësohen dhe jo të përkeqësohen”, thotë Tina Sorokina, një punëtore fabrike.

“Unë nuk mendoj se ai do të sjellë ndonjë ndryshim shumë të madh. Sepse ai mund të flasë shumë për këtë, por nuk mendoj se mund ta ndalojë Putinin të pushtojë", thotë muzikanti Otto Tamkiri.

Në të dy anët e kufirit mes Estonisë dhe Rusisë, ekzistojnë pikëpyetje të mëdha se çfarë do të sjellë viti 2025 dhe administrata e re e SHBA-së për luftën në Ukrainë dhe të ardhmen e fqinjëve të tjerë të Rusisë.

XS
SM
MD
LG