Lidhje

Dimri pritet të rëndojë gjendjen humanitare në Rripin e Gazës


Ndërsa bisedimet për lirimin e pengjeve dhe arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi në Rripin e Gazës kanë rifilluar, dimri pritet të vështirësojë gjendjen e dy milionë palestinezëve. Banorët e zhvendosur në Gazën jugore janë të shqetësuar nga pasojat, që mund të sjellë ulja e temperaturave.

Ashtu si shumë palestinezë të tjerë në Rripin e Gazës, familja Abu Maryam jeton në një çadër në al-Mawasi, një zonë e sigurt e caktuar nga Izraeli në Gazën jugore.

Dimri pritet të rëndojë gjendjen humanitare në Rripin e Gazës
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:15 0:00

Etimad, bashkëshorti i saj Aref dhe dy fëmijët e tyre të rritur u larguan nga shtëpia e tyre në Gazën veriore dhe janë zhvendosur pesë herë që nga fillimi i luftës mes Izraelit dhe Hamasit vitin e kaluar.

Ata janë të shqetësuar nga vështirësitë që do të sjellë dimri.

“Ardhja e dimrit dhe reshjeve të shiut është e frikshme. Ne jetojmë në çadra, që nuk mund ta përballojnë shiun.”

Etimad Abu Meryam thotë se higjiena bazë është pothuajse e pamundur në kampet e strehimit me çadra.

“Nuk ka pastërti. Gjithë ditën përpiqem të organizohem dhe të pastroj, por është shumë e vështirë. Këtu janë përhapur insektet dhe minjtë, që po dëmtojnë rrobat, shtratin dhe ushqimet.”

Bashkëshorti i zonjës Maryam thotë se shiu dikur shihej si një bekim për banorët e Gazës, veçanërisht për fermerët. Por tani, thotë ai, shiu është një mallkim.

“Në të kaluarën ne luteshim për shi dhe e falenderonim zotin kur kishte reshje shiu. Por tani lutemi që të mos bjerë shi, sepse jetojmë nën një tendë plastike. Gjithçka është kthyer kundër nesh. Edhe toka bujqësore tani po përdoret për të vendosur çadrat tona”, thotë ai.

Dimri po vjen ndërsa kriza humanitare e Gazës po përkeqësohet.

Sistemi i kujdesit shëndetësor po funksionon me vështirësi të mëdha dhe Agjencia e OKB-së për Refugjatët Palestinezë thotë se nuk ka ushqim të mjaftueshëm për popullsinë prej më shumë se 2 milionë banorësh, veçanërisht për ata në Gazën veriore.

"Ka një rrezik real pasi ne po hyjmë sërish në dimër. Sistemi imunitar i njerëzve është shumë më i dobësuar në dimër. Ne po hyjmë në një situatë ku uria apo kequshqyerja, për fat të keq, sërish mund të jenë probleme për të zhvendosurit. Kjo mund të ishte shmangur", thotë Philippe Lazzarini, komisioner i Agjencisë së OKB-së për Refugjatët Palestinezë.

Izraeli kohët e fundit ndërpreu lidhjet me Agjencinë e OKB-së për Refugjatët Palestinezë, duke akuzuar disa nga punonjësit e saj për pjesëmarrje në sulmin e 7 tetorit në Izrael.

Ushtria e Izraelit thotë se lejon hyrjen e sasive të mjaftueshme të ndihmave ndërkombëtare në Rripin e Gazës përmes pikave të saj të kontrollit dhe se problemi është tek shpërndarja e saj brenda Gazës.

"Sot kemi më shumë se 800 kamionë që presin që komuniteti ndërkombëtar t'i dërgojë brenda Gazës", thotë Abdullah Halabi, zyrtar i ushtrisë izraelite për ndihmat humanitare.

Për familjen Abu Maryam nuk ka shumë rëndësi se kush është përgjegjës për mungesën e ndihmës.

Ata po përballen me një dimër tjetër të ftohtë dhe me shi në një tendë, pa e ditur se kur do të mund të kthehen në shtëpinë e tyre.

XS
SM
MD
LG